Koalicioni “Aleanca për Ndryshim” që udhëhiqej nga Partia Demokratike, arriti të nxirrte 59 mandate deputetësh në zgjedhjet e vitit 2021, të cilat u ndanë në tre grupe parlamentare, duke huazuar disa demokratë te formacionet e aleatëve më të vegjël, si Republikanët e Mediut dhe PDIU e Idrizit.
Grupi i PD ishte më i madhi i pakicës parlamentare, deri sa vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën e shpallur non grata, i ndau edhe vetë në disa grupime: ai i Bashës, grupi i Berishës, e më pas grupi i Gazment Bardhit që u shkëput nga Basha për t’u bashkuar me Berishën.
Pavarësisht se i shpallur non grata, lideri demokrat arriti të mbante pranë vetes pjesën dërrmuese të deputetëve të dalë nga listat e PD. Përballë një mazhorance kompakte, në Parlament opozitaët shfaqeshin me 3 grupet zyrtare dhe një tjetër grup faktit, të atyre që qëndronin pranë Lulzim Bashës.
Vendimi i Gjykatës së Apelit që i njohu Berishës të drejtën e vulës së partisë, turbulloi përsëri ujërat opozitare. Eralda Bano dhe Kreshnik Çollaku braktisën Bashën për të kaluar me Berishën.
Grupi faktik i ish-kryedemokratit nisi të tkurrej, pavarësisht autoreferencës si Demokratët Euroatlantikë, zgjedhur për të distancuar veten nga pjesa tjetër zyrtare. Emri i ri nuk mjaftoi për të mbajtur shtrënguar rangjet dhe Bashën e braktisi edhe Enkelejd Alibeaj, njeriu që për një vit i kishte ruajtur postin e kryetarit të partisë.
Njësoj si Alibeaj, edhe Arbi Agalliun, njoftoi shkëputjen nga Grupi Parlamentar i PD që kontrollohet nga Berisha, për të kaluar si i pavarur.
Distancim që duket se ishte i barazvlefshëm edhe në raport me Bashën. Aktualisht grupimi i Bashës është tkurrur ndjeshëm, por ende në kuotat e nevojshme për të formalizuar një grup të ri parlamentar, nëse deri në shtator nuk do të ketë të tjera firo.
Rikthimi i jetës parlamentare në vjeshtë pritet të formalizojë edhe formacionin e ri politik që Enkelejd Alibeaj po krijon me ata që nuk besojnë as te Berisha dheas te Basha, çka mund të sjellë të tjera ndryshime edhe në realitetin e grupeve parlamentare të pakicës në Kuvend.
A2 News