Situata me zjarrin në Shëngjin vijon të jetë alarmante. Për shkak se flakët u janë afruar banesave dhe bizneseve të zonës bregdetare, Policia ka bërë thirrje për evakuim të banorëve dhe pushuesve.
Evakuimi i tyre ka sjellë trafik të rënduar në rrugë, duke bërë që vargu i mjeteve të jetë kilometrik në autostradë.
Ndërkohë, siç bëri me dije dhe Ministria e Mbrojtjes, zjarri nuk është izoluar dot pavarësisht angazhimit maksimal në nivel kombëtar.
Sipas Mbrojtjes, Përveç forcave zjarrfikëse të pushtetit vendor është angazhuar për shuarjen e flakëve edhe helikopteri Cougar, por si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe bizneset në zonë. U morën masat në kohë për evakuimin e tyre, duke bërë të mundur shmangien e rrezikut.
Kujtojmë se ditën e djeshme operuan 20 mjete zjarrfikëse gjatë gjithë natës me 60 forca zjarrfikëse. Ndërsa sot veç helikopterit Cougar po punojnë edhe 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale.
Pas kërkesës drejtuar Mekanzimit Evropian të Mbrojtjes Civile pritet të mbërrijnë shumë shpejt dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri. Situata vijon të mbetet problematike pavarësisht gjithë angazhimit në nivel kombëtar.