Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ka shqyrtuar kërkesën e të akuzuarve për skandalin te spitali Onkologjik, mes tyre dhe mjekët Edmond Gashi dhe Alketa Pere dhe zv.drejtoreshën e QSUNT Brikena Qirjazi, për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tyre.
Në përfundim të gjykimit, në Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjyqtari Astrit Kalaja vendosi të mos pranojë ankimimin e bërë nga personat në hetim, për shkak të mungesës së objektit të ankimit. Kjo pasi kjo çështje tani i ka kaluar SPAK e GJKKO, pasi Gjykata shpalli moskompetencë.
“Në përfundim të gjykimit, në Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, sot më datë 25.07.2024, me Gjyqtar z. Astrit Kalaja u vendos “Mospranimi i ankimit të bërë nga personat nën hetimi E. G, B. Q dhe F. M, kundër vendimit nr. 1651 Akti, datë 27.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë” , për shkak të mungesës së objektit të ankimit.
Masat e sigurimit të caktuara me vendimin objekt ankimi janë verifikuar me datë 24.07.2024, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në përputhje me nenin 88 të K.Pr.Penale, si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore”, sqarohet në komunikatën zyrtare.
Kujtojmë se në hetim janë:
Edmond Gashi, mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”
Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”
Alketa Ymeri(Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”
Brikena Qirjazi, zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”
Halil Gashi, i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”
Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”
Drilona Kishta e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre”