Pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë, SPAK ka nisur hetimet për skandalin te Onkologjiku, ku mjekët nuk u jepnin shërbim pacientëve me tumor por i orientonin ata tek klinika private e kirurgut, Edmond Gashi.
SPAK kishte 10 ditë afat për të regjistruar ose jo procedimin pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa hetimet po ndiqen nga prokurori Elvin Gokaj. Ky i fundit ka çuar një ditë më parë në GJKKO kërkesën për të rivlerësimin e masave të sigurisë për të akuzuarit. SPAK ka regjistruar hetimet për 3 vepra penale, kontrabandë ilaçesh, shpërdorim detyre dhe korrupsion. Dy veprat e para penale ishin ngritur edhe nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa me kalimin në SPAK është ngritur edhe një tjetër akuzë ajo e korrupsionit.