Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, në përfundim të sesionit, ka bërë një përmbledhje për punët kryesore të realizuara.
Çuçi u shpreh se ndër aktet me rëndësi për publikun ka qenë amnistia penale. “U vonua, por u miratua me një konsensus të gjerë. Besoj se kanë përfituar një numër i konsiderueshëm i të dënuarve”, tha ai.
Më tej ai u ndal edhe te ratifikimi i marrëveshjes me Italinë për pensionet.
“Vlen për t’u shënuar protokolli në fushën e emigracionit, ku ky Kuvend ratifikoi këtë protokoll, marrëveshje mes dy qeverive”, deklaroi ai para gazetarëve. Po ashtu ai tha se po punohet ende për rishikimin e kodit zgjedhor dhe se po diskutohet formula e llogaritjes se mandateve.
“Besoj se opozita do na bashkohet për të vazhduar rrugën drejt modernizimit të shtetit shqiptar, sepse janë komisione që nuk lidhen me luftën politike të përditshme, por me të ardhmen e vendit”, deklaroi ai.
Lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçkës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i kërkon Kuvendit që të votojë kërkesën e PD që ta shqyrtojë kjo gjykatë vlefshmërinë e mandatit të saj, ai tha se është krijuar një paqartësi. Sipas tij Kushtetuesja po tenton të krijojë një normë të re, që nuk i lejohet.
“Ka pasur një vendim të Kushtetueses që ka shfuqizuar dy vendime nga Kuvendi, dhe Kuvendi pa diskutim i shfuqizoi vendimet. Në rastin konkret është krijuar një paqartësi lidhur me faktin nëse do duhet që një deputet apo të gjithë, duhet të votojnë në një formë të caktuar të detyruar, por nga çdo lloj institucioni, apo jo. Dhe ky është një debat që nuk ka gjetur trajtim as nga vendimi i GJK. Përkundrazi në gjykimin tonë Gjykata Kushtetuese ka tentuar që të krijojë një normë të re kushtetuese, që nuk ia lejon Kushtetuta. Nuk i imponon dot deputetit si të votojë”, tha Çuçi. Ai më tej tha se do t’i drejtohen Komisionit të Venecias për të marrë një opinion për këtë rast.