Nga Aranit Muraçi
Piktura e Llazar Taçit i dedikohet kryetarit aktual të qeverisë shqiptare dhe është përzgjedhur nga “Liberale” sot në një ditë të veçantë: në 60-vjetorin e ditëlindjes së kryeministrit, Edi Rama. Piktura është realizuar gati 20 vite më parë nga mjeshtri Taçi, kur Rama, piktor edhe ai vetë me profesion para se përfshihej në politikë, sapo kishte siguruar mandatin e dytë si kryebashkiak i Tiranës.
Ashtu si çdo vepër artistike, që kërkon frymëzim, talent dhe punë për realizimin e saj, edhe piktura që Llazar Taçi ia ka dedikuar Ramës, veç të tjerave ka një histori të veçantë.
Për të gjurmuar historinë dhe për shpjeguar të vërtetën e pikturës, askush tjetër nuk mund të jepte një shpjegim më mirë se vetë autori i veprës.
“Liberale” sjell në rubrikën e saj “Historia e një pikture” veprën artistike dedikuar kryeministrit Edi Rama, përmes përshkrimit që i bën veprës së tij piktori korçar, tashmë 82-vjeçar, Llazar Taçi.
Piktura e realizuar fillimisht si “bocet” i është shitur një koleksionisti vendas, vepër të cilën e ka siguruar “Liberale” ndërsa autori thotë se e shiti atë pak kohë më parë. Piktura dedikuar kryeministrit – shpjegon piktori – është realizuar si “bocet” dhe e njëjta vepër nuk është lejuar në një ekspozitë të mëvonshme, sepse është konsideruar me “tematikë politike”.
Ai shton se veprat e tij artistike u dedikohen kryesisht heronjve. – “I vetmi politikan dhe person i gjallë për të cilin kam bërë një përjashtim dhe i kam dedikuar një vepër artistike në pikturë është kryeministri aktual Edi Rama – shprehet Taçi.
Pse piktori ka përzgjedhur pikërisht Ramën dhe jo një politikan tjetër, shtrohet pyetja?
“Të tjerët nuk më kanë emocionuar,” – argumenton më tej piktori. Edi Ramën, tre herë radhazi në krye të bashkisë së Tiranës dhe po kaq herë në krye të qeverisë, ai shton se nuk e ka zgjedhur për politikë dhe as për bindje politike por sepse e ka parë dhe e sheh “si një transformues” të madh të vendit.
Gjithçka lidhet me zaptimin e pronës publike dhe kioskëzimin e Tiranës pas viteve “90. Por me ardhjen e Ramës në krye të bashkisë së Tiranës, piktori thotë se ai dhe qytetarët e tjerë të kryeqytetit u bënë dëshmitarë të prishjes së ndërtimeve pa leje dhe transformimit të madh, arkitekti i të cilit shprehet më tej se e frymëzoi për këtë arsye, për të realizuar portretin.
Përmes kësaj kureshtjeje vjen më e detajuar historia e pikturës e cila u realizua si “bocet” në vitin 2003.
“Ishte viti 2003, kur Edi Rama sapo ishte emëruar për herë të dytë kryetar bashkie i Tiranës” – thekson Taçi. – “Kam qenë duke punuar në studio dhe sapo bëhesha gati të mbyllja punën, dola të freskosha, në ballkon. Ishte ora 1 e natës. Punohej ende në rrugë. Rruga po shtrohej me drita dhe mbilleshin pemë, dhe në mes të të gjithëve, mes një grupi punëtorësh, dallohej më i gjati prej tyre. I veshur me pardesy në mes të natës, kur të gjithë ishin në gjumë, dallova që ishte vetë Edi Rama që sapo kishte siguruar mandatin e dytë në bashki dhe kishte ardhur për të ndjekur nga afër punimet. Në të parin ai i dha fund “kandaharizimit” të Tiranës, duke prishur ndërtimet dhe kioskat pa leje ndërsa në mandatin e dytë nisi ndërtimi dhe transformimi i Tiranës në një qytet modern, europian. Kjo ishte ajo që më frymëzoi dhe i dedikova këtë portret”, – thotë Llazar Taçi.
Piktori korçar 82-vjeçar ndër vite e ka ngritur flamurin e tij në almanakun e më të mirëve të artit shqiptar. Shumë punime të Llazar Taçit janë ekspozuar dhe kanë tërhequr interes brenda dhe jashtë shtetit ndërsa disa dhjetëra punime janë pjesë e koleksionistëve privatë, po ashtu, vendas e të huaj.
Taçi thotë se më vonë e ka realizuar edhe në dimensione të mëdha të njëjtën pikturë me Edi Ramën, të cilën e mban të varur në shtëpi. Nuk e ka ekspozuar sepse siç edhe e përmendi në një ekspozitë disa kohë më parë e kanë konsideruar me “tematikë politike”.
“Pikturën e madhe me pak ndryshime me Ramën e kam në shtëpi dhe do ta publikoj sot me rastin e 60 vjetorit të lindjes së tij”, – thekson piktori. Llazar Taçi vlerësohet si një nga ilustratorët më të mirë në Shqipëri. Ai është një familje e spikatur piktorësh në vendin tonë, teksa profesionin ia ka trashëguar edhe vajzës së tij, piktores së mirënjohur, Klodiana Taçi.