Nga Eduard Zaloshnja
Që PD-ja të jetë konkuruese në zgjedhjet e ardhshme, duhet ta zgjerojë sinorin e saj elektoral shumë përtej bërthamës së simpatizantëve të Berishës. Në këtë konkluzion mund të arrihet nga leximi i rezultateve të sondazhit kombëtar që publikova dje. Kështu, vetëm 16.5% e të anketuarve ishin simpatizantë të Berishës – goxha më pak se 42.5% që ishin simpatizantë të Ramës. Ndërkohë plot 34.3% e të anketuarve nuk simpatizonin asnjërin nga katër politikanët kryesorë.
Që Berisha të konkurojë me Ramën elektoralisht, duhet të bëjë për vete një pjesë të mirë të segmentit 34-përqindësh të elektoratit gri. Por problemi është se mbi 3/4 e këtij segmenti ka vlerësim pozitiv për punën e SPAK-ut. Dhe që të afrohen tek Berisha votuesit gri, duhet që ai të lavdërojë punën e SPAK-ut. Pikërisht të atij SPAK-u që e ka lënë në arrest shtëpie për muaj të tërë…
Nga ana tjetër, 90% e simpatizantëve të Berishës rezultuan në sondazh se kishin vlerësim negativ për punën e SPAK-ut. Dhe kjo është më se e kuptueshme – Berisha çdo natë nga dritarja e tij lëshon akuzat më të rënda për SPAK-un…
Teksa akuzat e Berishës ndaj SPAK-ut u pëlqejnë simpatizantëve të tij, elektoratin gri që e vlerëson punën e SPAK-ut e mbajnë larg Berishës. Dhe kjo situatë të kujton personazhin kryesor të romanit të mirënjohur amerikan “Catch-22” (përkthimi i përafërt në shqip: Gracka-22), i cili vuante ngaqë të gjitha zgjidhjet që gjente për të shpëtuar nga një situatë e vështirë i rezultonin të pashpresa.
Gjasat që Berisha ta ndryshojë qendrimin e tij ndaj SPAK-ut janë pothuaj zero. Por ky qendrim do t’i japë pak mundësi atij për ta zgjeruar sinorin elektoral të partisë përtej simpatizantëve të vet…
SHËNIM: Vetëm çereku i të anketuarve që kishin votuar për kandidatë për kryebashkiakë të Bashkimit për Fitore ishin nga segmenti gri aktual. Vjet kandidatet per kryebashkiake te atij koalicioni moren 500 mije vota.