Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi thotë se mbështetja për kryeministrin Edi Rama në takimet e tij me shqiptarët në Athinë dhe Milano, tregoi se kjo forcë politike duhet të forcojë strukturat e saj në diasporë.
Në fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste, Klosi u shpreh se falë votës së deputetëve socialistë në Kuvend, tashmë vota e emigrantëve shqiptarë është realitet politik.
“Përpjekjet tona për reforma janë shtrirë edhe në krijimin e një baze të dhënash gjithëpërfshirëse të emigrantëve socialistë, kudo ku ata ndodhen. Të kategorizuar sipas vendimit të banimit, në zbatim të statutit tonë partiak. Takimet që kryetari i partisë organizoi në Athinë dhe Milano, dëshmuan sesa urgjente është nevoja e organizimit partiak, edhe në diasporën shqiptare. Entuziazmi, opztimizmi dhe mbështetja për Edi Ramën dhe lidershipin e tij, që dëshmuan këto tubime, janë thirrje e fortë për strukturat tona, për t’i forcuar ato në emigracion. Tashmë, ku falë vullnetit të forcës sonë politike, vizionit të lidershipit dhe votimit të deputetëve socialistë në parlament ditën e djeshme, u sigurua që vota e emigrantëve të jetë realitet politik”, theksoi ai.