Gjykata e Sarandës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Erdion Muho, të dyshuar për veprën penale “shkatërrim prone me eksploziv” në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Mësohet se seanca në ngarkim të tij u zhvillua në spitalin e Sarandës, ku Muho mbahet i izoluar prej ndalimit të tij mbrëmjen e 28 korrikut, për shkak të problemeve shëmdetësore me veshkat. Gjatë gjithë seancës së caktimit të masës së sigurisë, Muho ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës.
“Nuk kam lidhje fare me ngjarjen. Madje atë natë kam qenë në Korfuz. Nuk jam fajtor për çfarë ka ndodhur. Me Armandi Nelajn, si sarandiot i vjetër unë dhe ai, njihemi, por deri kaq, jo më shumë aq më tepër të kem bashkëpunuar me të. Asnjëherë nuk kam diskutuar me të për një veprim të tillë. Pra nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen dhe motivet që dyshon Prokuroria”,-u shpreh ai.
Erdion Muho pronar i një agjensie turistike në Sarandë që operon edhe në fushën e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve të linjës Sarandë- Korfuz, u ndalua mbrëmjen e 28 korrikut. Sipas urdhërit bazuar në provat e administruara në dosjen penale, ekziston dyshimi se Muho të jetë autori i veprës penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” kryer në bashkëpunim me viktimëm Armand Nelaj, e cila mbeti në tentativë. Hetimi ka nisur pas ngjarjes së ndodhur në orën 22.00 të datës 24 Qershor, në afërsi të Portit Detar Sarandë, ku shpërthimi i një sasie ekplozivi i mori jetën 52-vjeçarit Armand Nelaj.
Fillimisht u dyshua se shpërthimi kishte ndodhur nga bombula e oksigjenit, e më pas u hetua edhe pista e vrasjes së Nelajt, i cili ishte biznesmen i njohur në Sarandë. Por ditën e djeshme, u zbulua se vdekja e Nelajt ka ndodhur për shkak të një lënde plasëse që ai kishte planfikuar të vendoste në tragetin e linjës Sarandë-Korfuz, “Finikas Lines”. Shkak ishte konkurrenca për linjën e Korfuzit.