Nga Mero Baze

Sali Berisha dhe Ilir Meta po sillen sikur kanë bërë një zbulim duke kërkuar qeveri teknike. Nuk po i hyjmë debatit se si do t’i imponohen Edi Ramës, njëri nga penxherja e tjetri në derë të “shtatë penxhereve”, për t’u dhënë këtyre qeveri teknike.

Por e marrim si të mirëqenë që Edi Rama, ngaqë nuk ka çfarë të bëjë, ua jep dhe këtë. Zëre se ka dhënë një leje kulle.

Po këta kanë tre vjet që akuzojnë Lulzim Bashën që i tradhtoi se hyri në qeveri me Edi Ramën më 2017, dhe shkatërroi opozitën.

Në fakt marrëveshjen dhe atëherë e diktoi Sali Berisha, por ju desh më pas ta mohonte.

Problemi është se si i është kthyr prapë mendimi që bashkëqeverisja me Edi Ramën më qeveri teknike është ide e mirë.

Të paktën Lulzim Basha ju imponua me çadër dhe me nevojën që Rama kishte të përçante bllokun opozitar kundër tij, pasi atëherë ishte ende turp të mos hyje në zgjedhje. Tani dhe ai turp ka dalë. Këta as kanë me se i imponohen dhe as po dinë çfarë të kërkojnë. Po kërkojnë fiks atë për të cilën kanë akuzuar Bashën se i ka prerë në besë.

***

Dje në mbrëmje gjatë protestës me molotovë e dogjën dhe një flamur kombëtar. Në entuziasëm e sipër duke përfytyruar betejën mbi selinë e Bashkisë së Tiranës, molotovisti i PD e hodhi mbi flamurin kombëtar.

Nuk është se e ka pasur objektiv, por e quajmë se ishte aksident.

Sikur Edi Rama tani të ishte si Sali Berisha, do thërriste Sandrin që gati e ka, do bënte një spot se si një polic i Taulant Ballës hidhet mbi flakë, shpëton flamurin, e fut në gji dhe vrapon si fitimtar kundër hordhive pushtuese që na e dogjën.

Pak a shumë kështu ishte një spot propagandistik kundër 21 janarit më 2011, kur një flamur kombëtar nga ata të protestuesve u rrëzua për tokë, dhe Berisha gati gati tha se i vrava ngaqë shkelën me këmbë flamurin.

Dje i vuri flakën, në vend të Erion Veliaj.

Flamur Noka është bërë viral në rrjet, pasi ka deklaruar në mënyrë të sinqertë, se nëse ka mundësi të vjedhë 450 milionë euro, është gati t’i vjedhë dhe të bëjë burg.

Deklarata e tij si zyrtari më i lartë i opozitës që nuk është ende në burg, ose hetim, ka rëndësi për të kuptuar thelbin e motivit që ka parti ae tij për të ardhur në pushtet.

Të gjithë mendojnë se kanë një program. Ata në fakt kanë një çmim. Dhe nuk është çmim i keq. Prandaj kijeni parasysh se Flamuri mund t’u rezistoj këtyre lekëve të xhepit, pagesave në restorante etj, por po i dolën para 450 milionë euro, i thotë burgut hapu.