Nga Geri Kokalari/
Jam ndjerë kaq i trishtuar kur u zgjova me lajmin që Ismail Kadare kishte ndërruar jetë! Gjatë vizitës sime të fundit në Tiranë, kam pyetur miqtë e përbashkët për Kadarenë dhe u informova që gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej — ndoshta një paralajmërim ky? Kadare ishte një ‘Gjirokastrit’ tjetër, i lindur vetëm disa dyer larg shtëpisë së gjyshes sime nga ana e babait tim. Siç shihet në foton bashkë me këtë tekst, në 1995, në pak ditë pas Krishtlindjeve, ishte një nder për mua dhe nënën time të ftonim për darkë në shtëpinë tonë Ismailin dhe gruan e tij Helenën.
Duke qenë se unë kam patur familjarë dhe njoh shumë të tjerë shqiptarë që i janë nënshtruar brutalitetit të regjimit komunist, shfaq habinë time për rreziqet që Kadare mori duke shkruar “Pallatin e ëndrrave,” një maskim i kujdesshëm i diktaturës së Enver Hoxhës. Edhe pse fillimisht i rezervuar, Kadare u bë mjaft pasionant gjatë diskutimit mbi krijimin e tij të famshëm. Pavarësisht përçmimit të kritikëve të tij, duhej vullnet i veçantë i Kadaresë për të shkruar “Pallatin” i cili konsiderohet një nga veprat e tij më të mëdha. Shumica e atyre që kritikojnë Kadarenë tani, ishin ose të mashtruar nga pallati i gënjeshtrave të Hoxhës, ose kishin guximin të ishin “disidentë” vetëm në ëndrrat e tyre.
Rritur në SHBA, miqtë amerikanë nuk kishin fare ose kishin pak njohuri mbi Shqipërinë, prandaj, kisha gjithmonë një ndjenjë krenarie për t’ua nxjerrë në pah dhe atyre mbi modelet tona shqiptarë. Më e njohura mes tyre Nënë Tereza, por kur trokiti rasti, kisha krenari t’u tregoj miqve që një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore ishte një shqiptar i quajtur Ismail Kadare.
U shpreh ngushëllimet e mia familjes së Ismail Kadaresë dhe shqiptarëve në të gjithë botën që vuajnë humbjen e një shqiptari të madh ndërkombëtar. Ashtu siç thoshte gjyshi im,: “ne të gjithë jemi vetëm kalimtarë…”