Ka ndërruar jetë te spitali i Traumës në kryeqytet, Rigel Kaso nga Bilishti, i cili u gjet i dhunuar brutalisht në zonën e Unazës së Re. Dhunuesi u identifikua si Bajram Gjeleshi, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga policia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi Kaso bisedonte në rrjete sociale me bashkëjetuesen e autorit të dhunës, Bajram Gjeleshi.
Viktima i cili jeton në Bilisht, kishte ardhur më 13 korrik në kryeqytet me qëllim të takohej me vajzën që kishte komunikuar. Gjeleshi kapi mesazhet në telefonin e bashkëjetueses me Kason, dhe la një takim duke folur në emër të saj me 42-vjeçarin në afërsi të banesës në rrugën “Sokrat Miho”.
Kaso shkoi në vendtakim me idenë se do të takonte gruan me të cilën kishte folur, por aty u shfaq bashkëjetuesi i saj. Gjeleshi dhunoi Kason me sende të forta, ku ky i fundit u dëmtua rëndë.
Rigels Kaso u gjet më 15 korrik me shenja dhune në mes të rrugës nga kalimtarët, ku u dërgua në spitalin e Traumës për mjekim. Për shkak të dhunës dhe plagëve të shumta në kokë dhe trup, Kaso u fut menjëherë në intubim në spitalin e Traumës, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte.