Nga Alba Malltezi/

Urrejtja, armiku ynë i përbashkët përtej racës,

Kandidati për President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, shpëtoi për mrekulli. Të shtënat që distiluan urrejtjen ndaj tij sa i prekën veshin e djathtë, duke shënuar fatkeqësisht një viktimë mes atyre që e mbështesin me zemër dhe besojnë në politikat dhe në të ardhmen që ai projekton në SHBA, vendin që e ka bërë një kryevepër jetese dhe bashkëjetese demokracinë.

Nëse duam të reflektojmë pas ngjarjeve dhe pas mesazheve që ngjarje të tilla, kaq të rënda, përcjellin, një diçka e madhe duhet të na bëjë bashkë, përtej racës, përtej kombësisë, përtej gjinisë, përtej moshës, përtej dijes, bindjeve dhe profesioneve që kemi përqafuar në jetën tonë: Përçmimin total të dhunës dhe të gjuhës dhe veprimeve që atë e gjeneron!

T’ja përsërisim si një refren pafund vetes dhe të tjerëve se dhuna dhe gjuha që atë e mbeshtet nuk na tregon më të fortë, nuk na tregon më superiorë, por vetëm individë që në shancin e mrekullueshëm të eksperiencës tokësore, nuk ditëm të bindim askënd me inteligjencë, zgjuarsi, bukuri dhe harmoni.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si në vrasjet, apo plagosjet e Presidentëve të mëparshëm (për fat të keq të përsëritura në historinë e saj) ashtu si dhe në të dhimbshmin 11 shtator, tregojnë se dhunën dinë ta transformojnë në dëshirë për bashkëjetesë dhe demokraci, në vullnet për të përmirësuar veten dhe për të ndihmuar të tjerët, siç ne jemi dëshmitarë për ndihmën e pakursyer për Kosovën dhe për vendin tonë.

Ata që luajnë me urrejtjen, ata që e ushqejnë dhe e provokojnë, cilësdo kombësie, ngjyre e bindje u përkasin, duhet të jenë sa më vetëm, sa më të izoluar në qëllimin e tyre të mbrapshtë. Ushqyesit e urrejtjeve nuk mund të jenë as e tashmja dhe as e ardhmja jonë.