Një 41-vjeçar i akuzuar për kryerjen e veprave penale “kanosja për shkak të detyrës” dhe “prishje e qetësisë publike”, është vënë në pranga në Tiranë dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”
Më 24 shkurt të këtij viti, 41-vjeçari ka shkuar para Gjykatës së Lartë i shoqëruar nga dikush tjetër dhe ka protestuar kundër kryetarit dhe zëvendëskryetarit të gjykatës.
“Gjatë protestës ai ka marrë megafonin dhe ka filluar të ofendojë e fyejë Kryetarin e Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi dhe z.v kryetarin e gjykatës Ilir Panda”, thuhet në dosje referuar dëshmisë së specialistit të rendit pranë Gjykatës së Lartë.
Një ditë më pas, i njëjti person ka mbërritur pranë rrethimit të gjykatës dhe sërish ka sharë dhe ofenduar gjyqtarët. Më pas ai ka bërë filmime me celular dhe ka kryer veprime të turpshme, duke urinuar para derës së gjykatës. Videon e këtij veprimi e ka shpërndarë në rrjetin social “Tik Tok” me emrin “Shqipëria Europiane”. 41-vjecari ka shpjeguar se “Sokol Sadushi nuk iu përgjigjet telefonatave të tij, ndërsa u detyrua të urinonte para gjykatës se kishte pirë shumë birra”.