Prokuroria e Lezhës e akuzon shqiptarin me pasaportë britanike Edmond Haxhia, nën dyshimin, si organizator të vrasjes së Ardian Nikulajt bashkë me skuadrën e vëzhgimit përbërë nga katër britanikë, që të gjithë të arrestuar në Britaninë e Madhe në pritje të ekstradimit në Shqipëri.
E njëjta prokurori në akt-akuzë thekson se Edmond Haxhia është kushëri i brezit të parë me Elton dhe Klodian Lekstakaj, në konflikt hasmërie me familjen e viktimës Ardian Nikulaj.
Hetimet vijojnë për të mbërritur tek provat e financuesit të vrasjes. Por disa dokumente zyrtare nga policia e Birminghamit, siguruar nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu, tregojnë se financuesit e vrasjes në Shëngjin 15 muaj më parë, janë pjesë e një grupi të organizuar kriminal.
Për disa vite me radhë, ky grup kriminal përfitoi miliona paund, nga përfshirja në prostitucion në një lokal nate striptizmi në një prej rrugëve kryesore të Birminghamit.
Përmasat e përfitimit monetar nga ky grup kriminal, tregohen në këtë dokument të policisë angleze, që tashmë disponohet edhe nga autoritetet e drejtësisë shqiptare.
“Informacionet tregojnë se prej Janarit 2017, 1.6 milionë sterlina, janë kredituar brenda kësaj kompanie. Informacionet e kontrolluara na tregojnë se personi ka lidhje me Krimin e Organizuar shqiptar”.
Edmond Haxhia punonte si menaxher në klubin e natës ku ofrohej edhe striptizëm dhe marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës ekstra. Licencën e këtij biznesi e mbante një i afërm i tij shtetas shqiptar, me pasaportë britanike.
Në dosjen e policisë Westmidland Police me 144 faqe, tregohet me detaje, se në këtë lokal nate klientëve, u spërkateshin pijet me drogë, e më pas nga kartat e tyre bankare u vidheshin mijëra paund.
Në raportin e policisë të Birminghamit thuhet: I vendosur në rrolin e supervizorit të këtij lokali, në sistemin e licesimit të Këshillit Bashkiak të Birminghamit është Edmond Haxhia. Krimi më i rëndë raportuar në këtë lokal ka ndodhur në 13 Mars 2017, ku viktima u drogua dhe 9.000 stërlina iu morën nga karta e kreditit. Një ditë më pas viktima bleu në farmaci, një test droge nga ku rezultoi se ai ishte nën efektin e Metadonit. Ky ishte një medikament që viktima i tha policisë, se nuk e merr dhe nuk e ka përdorur asnjëherë në jetën e tij.
Për të njëjtin lokal nate, ku Edmond Haxhia punonte si menaxher, policia e Birminghamit mbërrin në këtë përfundim.
“Policia e West-Mindlands ka nisur të mbledh të dhëna të cilat ngrenë shqetësimin se ky ambient përdoret dhe menaxhohet nga anëtar të një grupi të organizuar kriminal shqiptarë”.
Këto të dhëna të siguruara e publikuar për herë të parë nga Top Channel, tregojnë se parat e fituara nga aktivitete kriminale në Angli, u vunë në përdorim për të organizuar e finalizuar vrasjen e Ardian Nikulajt më 19 Prill 2023.
Është caktuar data e dhënies së vendimit nëse Anglia do ta pranojë kërkesën e shtetit shqiptarë, për të ekstraduar një shqiptarë dhe katër britanikë të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin./TOP CHANNEL