Nga Eduard Zaloshnja
Para se Presidenti Biden të tërhiqej nga gara presidenciale, tre shtete ishin kyçe për sigurimin prej tij të 270 elektorëve, nga 538 gjithsej në Kolegjin Elektoral (që do të vendosë se kush do të qeverisë SHBA-në në katër vitet e ardhshme). Tre shtetet ishin Pensilvania, Miçigani dhe Uiskonsini, të cilat Biden i kishte fituar më 2020 me epërsi fare të vogël, dhe ku sondazhet tregonin se ai ishte diçka më poshtë se kundërshtari i tij Trump.
Por me tërheqjen nga gara të Presidentit Biden dhe futjes në garë të Kamala Harris, një shteg i ri është hapur për sigurimin e të paktën 270 elektorëve – shteti Xhorxhia.
Në këtë shtet, Biden fitoi me vetëm 0.1% epërsi para katër vjetësh, por para se ai të tërhiqej nga gara ishte 6 pikë mbrapa në sondazhin e fundit të Emerson College. Kjo diferencë ishte goxha përtej marzhit të gabimit statistikor të sondazhit!
Dhe vijmë tani tek Kamala Harris.
Në sondazhin e fundit të Landmark Communications, Kamala Harris rezulton vetëm 1 pikë poshtë në përballjen dyshe me Trumpin në Xhorxhia, krahasuar më 6 pikë poshtë që doli Biden para se të tërhiqej nga gara. Kush fiton në Xhorxhia siguron 16 elektorë në Kolegjin Elektoral, që do të vendosë se kush do të qeverisë SHBA-në në katër vitet e ardhshme.
Biden e siguroi fitoren e tij fare të ngushtë para katër vjetësh në Xhorxhia, falë epërsisë ndër votuesit me ngjyrë, ndër votueset femra, dhe ndër votusit me arsim të lartë. Duket se këta votues po rikthehen tek Partia Demokrate, pas zëvendësimit të plakushit Biden me Kamala Harris, kandidate me ngjyrë, femër dhe me arsim të lartë…