Nuk ka ndodhur kurrë që vizitat dhe takimet me shefin e CIA, me çdo lider në botë, të komentohen dhe detajohen. Zakonisht pas këtyre takimeve ka ose heshtje, ose ndonjë mesazh konçiz për të treguar se nga orientohet politika e asaj qeverie.

Shembulli më i qartë është udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Dodik, që është dhe ylli i politikës ruse në rajon, si dhe nismëtari i përpjekjeve për ndarje të Bosnjës.

Pas takimit i kishte ikur goja dhe tha se në Bosnjë nuk është folur kurrë për ndarje, si për ta bërë qesharake gjithë historinë e tij.

Pavarësisht përmbajtjes joserioze të tekstit, reagimi ishte serioz. D.m.th e kishte marrë mesazhin.

Pastaj shefi i CIA u takua në Kosovë me presidenten Osmani dhe më pas me kryeministrin Kurti, i cili u detyrua të mos hajë sanduiçët e fundit tek konventa e demokratëve në Çikago.

Duke qenë se raportet e Kurtit me SHBA janë tërësisht të tensionuara dhe në disa raste shoqëruar me gjeste publike mosaprovuese të tyre, kundër tij, takimi me shefin e CIA, natyrisht që nuk bëhet për axhendën e qeverisjes ditore, por për detyrimet e shtetit të Kosovës për paqen në rajon.

Dhe pas takimesh të tilla, ose heshtet, ose dëshmohet me një fjali se si është orientuar shteti që drejton.

Deklarata e Albin Kurtit pas takimit me shefin e CIA ngjante sikur ishte takuar me kryetarë të Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë dhe u kishte shpjeguar arritjet e qeverisë para fushatës elektorale.

Shefi i CIA-s për arritjet e qeverisë amerikane nuk interesohet. Interesohet vetëm për sigurinë kombëtare. Në këtë rast interesi i tij është shmangia me çdo çmim e luftës në Ballkan dhe dy vatrat e rrezikshme janë Bosnja dhe Kosova.

Lideri i Bosnjës, që në fakt është gjenerali i Rusisë në Ballkan, reflektoi dhe e tha qartë se nuk do ketë ndarje, ndërsa Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, shtetit të formuar nga SHBA dhe mbajtur në këmbë prej saj, i shpjegoi SHBA se ka realizuar prodhimin e grurit dhe po ecën mirë me shitjen e banesave.

Ndoshta i ka thënë dhe marrëzi të tjera por nuk i citoi publikisht. Aman të vetmen fajli që duhet të thoshte, ishte se Kosova është e përkushtuar për paqen dhe do jetë e koordinuar në çdo hap me SHBA. Ama po e tha atë, ai ngelet pa punë, se ka katër vjet që çdo mëngjes paralajmëron luftë dhe konflikt në Kosovë, duke e futur vendin në depresion, duke zbuar investimet dhe duke detyruar edhe biznesmenët e Kosovës të investojnë jashtë saj.

Nëse Albin Kurtin duhet ta marrësh seriozisht, në këtë rast i bie të jetë tallur me SHBA dhe problemin që ata kanë me paqen në Ballkan.

Por në fakt nuk është tamam ashtu. Se po të ishte ashtu, ai do të dukej më keq se Dodiku për SHBA.

Është dhe më banale. Ai dhe kur flet me shefin e CIA, ka parasysh gjithmonë se si do ta presë deklaratën e tij, një militant i Vetëvendosjes në diasporë ose në Mitrovicë, dhe flet për ata.

Është kjo arsyeja që nuk duhet marrë seriozisht nga mënyra se si reagon, pasi nuk është se po injoron vërtet mesazhet e prera të CIA kundër konfliktit me serbët, por është duke gënjyer trushpëlarët e vet t’i japin dhe një mandat tjetër kundër CIA-s.