Uesli Shnajder mendon se Interi do të bëjë një kampionat të jashtëzakonshëm në Serinë A, por që në Champions League nuk do të ketë rrugë të gjatë.Kampioni i “Tripletës” me fanellën zikaltër ka folur gjithashtu edhe për fillimin e këtij kampionati nga ana e skuadrës së Inzagit, por gjithashtu edhe për të ardhmen e holandezëve. Sipas tij, De Vraj do të vazhdojë të qëndrojë edhe për shumë sezone në këtë ekip, ndërsa Dumfris me shumë mundësi do të largohet nga Milano. Shnajder ka folur nga Arabia edhe për Zielinskin, të cilin e konsideron një lojtar që mund të bëjë diferencën në Serinë A.
PARASHIKIMET- “Unë mendoj se Interi do të bëjë sërish një sezon të shkëlqyer dhe të jashtëzakonshëm në Serinë A. Por në Champions League… Vitin e kaluar kisha një ndjesi ndryshe dhe besoja më shumë. Këtë vit do të jetë më i vështirë si kompeticion sepse edhe skuadrat e tjera janë forcuar shumë. Në këtë sezon do të isha i lumtur nëse Interi arrin deri në gjysmëfinale, por e shoh shumë të vështirë. Europa është bërë malore për zikaltrit”.
DEBUTIMI– “Kanë barazuar ndeshjen e parë në Serinë A me Xhenoan. Është e vërtetë, por ishte thjesht ndeshja e parë. Kanë lojtarë të rinj. Dua të citoj mbi të gjitha Zielinskin, që këtë herë mungonte. Kanë pak nevojë për kohë që të përshtaten. Por jam i bindur që sezoni në Serinë A do të jetë i shkëlqyer”.
HOLANDEZËT– “Dumfris dhe De Vraj kanë bërë shumë mirë me kombëtaren e Holandës. Dumfris thuhet që duhet të shitej. Nuk është një titullar absolut, por mendoj që është një mbrojtës shumë i mirë. Të gjithë e dimë se si janë lojtarët kur nuk aktivizohen aq sa duhet. Nisin të ankohen dhe të largohen. De Vraj ka luajtur mirë në Europian dhe jam i bindur që do të jetë pjesë e Interit për disa vite. Ndoshta Dumfris mund të largohet vitin tjetër, në rast se nuk arrin rinovimin ose edhe po e arriti mund të shitet”.