Nga Ylli Pata/
Është bërë virale këto ditë një shfryrje e Arjan Çanit ndaj Grida Gumës dhe Artur Zhejit, në një podcast me analistë dhe profesorë të opozitës.
Përveç komenteve e diskutimeve toksike që marrin në rrjete pro e kundra këto bullizma, e gjithë kjo shfryrje e merr shkakun nga politika.
Nga politika e cila prej një viti pushtoi ekranet me Fredi Belerin e Himarën, duke kaluar çdo cak racionalizmi, logjike e sensi mase.
Megjithatë, sot jemi në një kohë kur mund të shikojmë krejt qartë, madje pa asnjë ekuivok fare se një zhvillim politik ka ndodhur.
Po mbyllet për të mos u hapur më epoka, nëse mund të quhet kështu e mbretërimit të Vangjel Dules në kauzën politike të minoritetit grek në Shqipëri.
Zoti Dule, i cili, u ndihmua në moshë të re prej qarqeve të rëndësishme, duke u konsideruar talent politik, e mori PBDNJ-në me një fuqi politike në të paktën tre qarqe të vendit, dhe e dorëzon sot me një kapitullim të plotë.
Partia e të Drejtave të Njeriut, është një forcë politike që ka nisur në Shqipëri në fillimet e pluralizmit. Ajo u formalizua në vitin 1992, kur ligji për partitë politike në Shqipëri ndali subjektet me bazë etnike.
Në vitin 1991, pra në zgjedhjet e para pluraliste të vendit, minoritetin grek në Shqipëri e përfaqësoi OMONIA, shoqata më e vjetër dhe e para e pakicës greke në Shqipëri. E cila në zgjedhjet e 31 marsit fitoi 5 deputetë në garë direkte mazhoritare.
Më pas, PBDNJ-ja që u drejtua nga një intelektual niveli si Vasil Melo, pati një ekspansion të vërtetë politik. Zgjodhi deputetë në Gjirokastër, Korçë, Vlorë, madje edhe në Shkodër, duke ofruar rreth vetes të gjithë pakicat etnike.
Një parti politike që u kthye një faktor që krejt natyrshëm mund të bëhej një kingmaker i pazëvendësueshëm në politikën shqiptare.
Ekspansioni i PBDNJ-së së zotit Melo, duhet thënë se ka ardhur duke bashkëjetuar tentativën e partive të mëdha për të kafshuar pjesë elektorale prej minoritetit.
Vangjel Tavo, kryetari aktual i bashkisë së Himarës është një deputet socialist, i cili votat i ka marrë në minoritetin grek. Ndërkaq edhe Partia Demokratike, ka pasur një mbështetje, duke nxjerrë deputetë e ministra si Kosta Barka, Spiro Ksera etj etj.
Ky komunitet dhe influencë e rëndësishme e minoritetit grek në politikë, që vinte nga resurset e mëdha njrëzore në botën intelektuale edhe në marrëdhëniet e mira me pjesën tjetër të komunitetit, u rrëzua nga strategjia e radikalizmit të Vanngjel Dules.
I cili erdhi në krye të partisë së minoritetit, me idenë që të arrijë të bëhet një faktor politik jo vetëm relevant, por edhe një mjedis që mund të përdoret herë pas here si një mollë sherri mes Athinës e Tiranës.
E kështu u shpik kazusi i Himarës dhe elementë si Vasil Bollano apo Fredi Beleri. Një kazus jo vetëm artificial, por edhe pa një shtrat politik për tu zhvilluar, si pasojë e drejtimit “monarkik” të Dules në PBDNJ, siç ndodh edhe me partitë e tjera shqiptare. Ku kryetarët i bëjnë të gjitha.
Me Vasil Melon, minoriteti grek nxorri jo vetëm një numër deputetësh e politikanësh që ballafaqoheshin në publik, por edhe përfaqësues mediatikë e në shoqëri që ju atashuan kauzës.
Dule, duke përdorur sëmundjen e tranzicionit e katandisi përfaqësimin vetëm me personazhe që i gjente siç merren sot makinat me qera për udhëtime të ndryshme. Personazhe portative, të marra borxh nga partitë e tjera, siç ndodhi me rastin e Himarës.
Dhe ja ku jemi sot, Himara, është më “minoritare” se kurrë. Kryetar bashkie i saj është një politikan që vjen nga minoriteti si Vangjel Tavo, ndërsa prefekt i Vlorës është një tjetër politikan i minoritetit, përkatësisht Kristo Kristo i Mega-s.
Një lëvizje shahu e Edi Ramës me Athinën, që duket ka gjetur apo do të gjejë një situatë të ndryshme si ajo e konfliktit të viteve të fundit. Pasi Athina, nuk ka më një arsye “politike” për t’u ankuar me Himarën, sepse realisht e qeverisin grekët etnikë, edhe pse shumica e Himarës banohet nga shqiptarët etnikë.
E në këtë situatë, loja e shahut do të nisë nga fillimi me gurë të tjerë. E gurët e vjetër nuk vlejnë as për damë, ndaj dhe jemi në këtë situatë kur po tentohen të gjenden valvola shpërthimi duke kopjuar performancën e Ilir Metës e Sali Berishën, me shpresë së shantazhi do të rezultojë efikas.