Një 48-vjeçar italian akuzohet për vrasjen e katër të moshuarve, për të cilët kujdesej gjatë 10 viteve të fundit, raportojnë mediat italiane.
Mario Euticia, 48 vjeç, u paraqit në një stacion karabinierësh në Caserta, Italia jugore të enjten, duke marrë përgjegjësinë për vdekjen e katër personave për të cilët ai kujdesej.
“Dua që dikush të më arrestojë. Duke vazhduar punën, ndoshta do ta bëja përsëri”, tha ai, shkruan Corriere della Sera.
“Doja t’i jepja fund vuajtjeve të tyre,” shtoi burri.
Siç shkruan Corriere, katër të moshuarit vuanin të gjithë nga kanceri dhe Mario Euticia i vrau duke rritur dozën e barnave që merrnin, përfshirë ato për dhimbjet.
Dy nga viktimat e tij janë identifikuar, një 95-vjeçar që vdiq marsin e kaluar dhe një 88-vjeçar i cili vdiq në dhjetor 2023, vdekja e të cilit nuk u konsiderua e dyshimtë duke pasur parasysh kushtet e tyre mjekësore.
Dy vdekjet e tjera, për të cilat ai akuzohet, kanë ndodhur në vitin 2014 në qytetin Latina, jo shumë larg Romës, por viktimat ende nuk janë identifikuar.