Grupi i armatosur i Libanit, Hezbollah nisi një seri sulmesh me dron dhe raketa në veri të Izraelit të martën, por paralajmëroi se hakmarrja e shumëpritur për vrasjen e një komandanti të lartë nga Izraeli javën e kaluar nuk ka ardhur ende dhe se ky është vetëm fillimi.

Hezbollahu tha se sulmoi dy qendra ushtarake pranë Acre në veri të Izraelit dhe gjithashtu një automjet ushtarak izraelit në një tjetër vend.

Ushtria izraelite tha se kishte arritur të kapte dronët, duke theksuar se pesë civilë mbetën të plagosur në jug të qytetit bregdetar të Nahariya. Sipas informacioneve, një prej të plagosurve është në gjendje kritike.