SpaceX pezulloi fluturimet në hapësirë pas shpërthimit të njërës prej raketave të saj Falcon, që përdoret për dërgimin e sondave dhe pajisjeve në kozmos e kërkoi nisjen e menjëhershme të një hetimi pas aksidentit.
Njoftime për të lënduar apo dëme ndaj pronës publike, nuk pati. Mediat në SHBA thonë se është ende herët megjithatë për të kuptuar se sa ndikim do të ketë kjo në fluturimet e ardhshme me njerëz në bord të kompanisë së famshme, si private ashtu edhe për NASA-n.
Fluturimi privat i një miliarderi u shty disa orë para këtij njoftimi për shkak të motit të keq. Raketa u lëshua nga Stacioni i Forcave Hapësinore në Kejp Kanaveral të Floridës dhe dërgoi të gjithë 21 satelitët e internetit për shërbimin “Starlink” në orbitë.
Por struktura e raketës, që i jep shtytje fazës së parë të fluturimit u rrëzua dhe u përfshi nga zjarri disa çaste pasi u ul në një platformë oqeanike.
Ky është aksidenti i parë i këtij lloji në vite, ndërkohë që ishte hera e 23-të që kjo strukturë e veçantë u përdorë për fluturimet në hapësirë, duke vendosur një rekord për pajisjet e tilla të ricikluara nga kompania SpaceX.
Administrata Federale e Aviacionit tha se duhet të gjejë arsyet e aksidentit dhe të vendosë për veprimet korrigjuese përpara se të lejojë kompaninë SpaceX, që të rifillojë fluturimet në hapësirë me raketën “Falcon 9”.
Një fluturim në hapësirë nga Kalifornia me satelitë interneti “Starlinks” u anulua menjëherë pas aksidentit.