Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizitoi dje qytetin e Fierit, ku pas një ftese nga deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima, u ndal në një nga lokalet më të njohura të qytetit, pastiçerinë “Rustemi”.

Ky vend i famshëm për ëmbëlsirat e tij, ka bërë historinë në Fier dhe është i njohur për tortën e saj të veçantë, të quajtur “Belinda”. Gjatë vizitës, Balluku mori një surprizë të këndshme, një tortë me emrin e saj.

“Një kafe në qendër të Fierit u kthye në një surprizë të paharrueshme me tortën ‘Belinda’, që tashmë është një nga më të preferuarat e qytetit,” u shpreh Balluku.

Pronari i pastiçerisë, Neritan Rustemi, foli për suksesin e tortës “Belinda”, duke theksuar se është një nga produktet më të kërkuara, veçanërisht në dasma dhe festa familjare.

“Torta ka një kombinim unik të shijeve tradicionale dhe moderne, duke balancuar të vjetrën me të renë,” tha ai.

Vizita e Ballukut në pastiçerinë “Rustemi” dëshmoi për dashurinë dhe lidhjen e fortë mes qytetarëve të Fierit dhe ëmbëlsirave tradicionale të qytetit të tyre.