Policia e Kosovës në një aksion në Banjskë të Zveçanit ka gjetur armatime, për të cilat ka thënë se dyshohet që ka qenë aty që nga rasti i sulmit në këtë fshat ndaj Policisë së Kosovës një vit më parë.
“Sot gjatë ditës kemi zhvilluar një kontroll shtesë në Hotelin Rajska Banja dhe kemi gjetë 2 jelek antiplumb, AK-47, 8 Karikator me fishekë dhe disa pajisje të tjera ushtarake. Besohet se këto prova materiale kanë qenë aty që nga rasti i Banjskës”, ka thënë të premten për KOHËN zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Nuk është hera e parë që Policia e Kosovës ka gjetur armatim në Banjskë që nga sulmi i shtatorit.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, dhjetëra serbë të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në aksionin kundërpërgjigjës të Policisë ishin vrarë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin terrorist e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, që besohet se është në Serbi.