Berat Gjimshiti ishte një nga lojtarët të cilët po mendonin të largoheshin nga Atalanta gjatë verës. Kapiteni i Kombëtares shqiptare mori një ofertë të rëndësishme financiare nga klubi i Al Rajan në Katar. Por edhe pse atij i ofrohej një rrogë marramendëse që raportohet se kalonte 4 milionë eurot në sezon, Gjimshiti në fund vendosi të qëndronte te Atalanta. Një “lëkundje” për të cilën trajneri Gasperini ka shumë mirëkuptim, ashtu siç e tregoi në intervistën e dhënë për “L’Eco di Bergamo”.
“Ai u lëkund dhe duhet mirëkuptuar, pasi është normale që në një botë superprofesioniste, dikush tundohet nga disa oferta të caktuara”, tha trajneri, i cili gjithsesi kërkon që kush qëndroi te Atalanta të ketë uri për të përsëritur gjithcka.
“Ajo që nuk duhet të ndodhë te ne është ajo që i ndodhi Napolit, që bën një sezon të jashtëzakonshëm dhe fiton titullin me 20 pikë avantazh ndaj të tjerëve e pastaj një vit më vonë nuk u kualifikua as në Europë”, tha trajneri i Atalantës.
Gjimshiti këtë vit do të jetë përsëri një prej tre kapitenëve të bergamaskëve, duke ndarë shiritin me De Run dhe Toloin.