Operatori i hekurudhave gjermane, “Dojçe Bahn” njoftoi se shërbimi hekurudhor do të jetë i kufizuar deri javën e ardhshme për shkak të një zjarri që përfshiu një sistem kabllor, që preku në veçanti Berlinin.
Sipas kompanisë, ekspertët po punojnë për të riparuar sistemin, por për shkak të dëmit riparimet do të vazhdojnë edhe përgjatë fundjavës.
Zjarri, që ra në një grup kabllosh hekurudhorë të kryeqytetit gjerman, çoroditën lidhjet me qytetet e tjera. Kjo bëri që autoritetet të vendosnin kufizime për udhëtimet në distancë të gjatë dhe që në disa raste t’i anulonin ato.
Një zëdhënës i “Dojçe Bahn” deklaroi se impakti i dëmit është në nivel kombëtar dhe se operatori ka përjashtuar mundësinë e një defekti teknik, duke sugjeruar në vend të tij një akt vandalizmi.
Për këtë arsye, një proces hetimor është hapur nga Zyra për Hetimin e Veprave Penale të Berlinit.
Incidenti vjen pas një sulmi me zjarr që ditën e hënë shkaktoi probleme në linjën hekurudhore mes qyteteve të Hamburgut dhe Bremenit.
Policia deklaroi se personat përgjegjës i vendosën zjarrin qëllimisht një boshti kabllor në afërsi të parkut “Byrgerpark” të Bremenit, duke paralizuar lëvizjen e trenave.
Ndërsa javën e kaluar, një sulm i ngjashëm dëmtoi rrjetin e trenave të shpejtësisë së lartë në Francë, ditën e nisjes së Lojërave Olimpike.
Një aktivist i lidhur me një lëvizje të së majtës ekstreme u arrestua lidhur me ngjarjen.