Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka publikuar pamje të një grafiti në Bujanoc, nëj ditë pas protestës, ku shkruhet “vdekje shqiptarëve”.
Kamberi shkruan se “pas deklaratave të shefit të vartësit të Aleksandar Vuçiqit, Dragan Stevanoviq – Bocke dhe Drejtorit të Shërbimit të Trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq të cilët nxituan të gjykojnë protestën e djeshme të shqiptarëve për të drejta e barazi, sot, kemi reagimin e para albanfob në Bujanoc”.
Ai thekson se kjo është albanofobi e nxitur dhe se në një shtet ligjor do të merreshin masa ndëshkuese.
Postimi i Kamberit:
Albanofobia e nxitur
Pas deklaratave të shefit të vartësit të Aleksandar Vuçiqit, Dragan Stevanoviq – Bocke dhe Drejtorit të Shërbimit të Trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq të cilët nxituan të gjykojnë protestën e djeshme të shqiptarëve për të drejta e barazi, sot, kemi reagimin e para albanfob në Bujanoc.
Në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc është shkruar një mbishkrim “Smrt siptarima” (Vdekje shqiptarëve) deri më tani, nga persona të panjohur.
Këta dy zyrtarë shtetëror, duke sulmuar të drejtën e shqiptarëve për protesta, për libra, për integrim, për njohje të diploma, për ndalesë të pasivizimit, për zhvillim ekonomik, kanë nxitur një valë reagimesh antishqiptare, kulmi i së cilës u arrit me këtë mbishkrim në institucionin shëndetësorë.
Akoma nuk ka asnjë reagim nga organet e rendit, që është veprim krejt ndryshe nga ai para disa ditëve, kur një komentues shqiptar në Facebook, ishte arrestuar “për nxitje të urrejtjes ndërnacionale” dhe të cilit u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.
Natyrisht, nxitësit e kësaj albanofobie, Bocke dhe Mitroviq, mbeten të heshtur, sepse, në një shtet ligjor do të ishin të parët ndaj të cilëve do të duhej të ndërmerreshin masa ndëshkuese.