Një emër i panjohur për publikun e gjerë, papritur ka marrë vëmendjen e të gjithë Francës, pasi mund të bëhet kryeministri i ardhshëm i Francës.
Karim Bouamrane, 51 vjeç, është kryetari socialist i bashkisë Saint-Ouen në Paris. Bouamrane “padashje” ka marrë vëmendjen e të gjithë francezëve gjatë Lojërave Olimpike, të cilat pjesërisht u zhvilluan në qytetin e Saint-Ouen (Seine-Saint-Denis), ku ai është kryetari i bashkisë që prej vitit 2020.
Profili i tij, i cili është larg diskurseve të zakonshme të së majtës (që fitoi edhe zgjedhjet parlamentare), intrigon dhe ngjall interes. Duke ecur shpesh në rrugët e qytetit të tij, ai mban një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me votuesit e tij, larg imazhit të shkëputur të një elite politike. Kjo afërsi me njerëzit e Saint-Ouen bie në kontrast me shkëputjen që ai vëren në disa liderë të krahut të majtë, veçanërisht në partinë La France insoumise.
“E vetmja gjë e përbashkët që kam me Barack Obamën është se ne të dy jemi mëngjarashë”, tha Karim Bouamrane në një intervistë për “Le Figaro”. Emërtimi “Obama i Senës” i është dhënë Bouamran për shkak të karrierës së tij të suksesshme në skenën politike franceze. I lindur në vitin 1973 nga prindër emigrantë marokenë, Bouamrane është një nga figurat më të përfolura të së majtës franceze.
“Unë nuk kam ambicie personale dhe pallati Élysée nuk më ka propozuar asgjë”, deklaroi ai. Gjithsesi, ai e lë të hapur mundësinë e pranimit të një pozicioni të tillë, nëse do të krijohet.
Si një fëmijë emigrantësh, rruga e kryetarit të bashkisë dhe ndoshta kryeministrit të Francës Bouamrane nisi nga shtresa të përulura shoqërore. Ai u rrit në një lagje të klasës punëtore të Saint-Ouen, ku babai i tij, një ndërtues analfabet, u përpoq të mbante familjen. Që në moshë të re, Karim, u dallua për vendosmërinë e tij për të krijuar një të ardhme më të mirë. Duke u rritur, ai e gjeti veten në një rreth fëmijësh emigrantësh, me të cilët kalonte të shtunat në biblioteka, duke studiuar libra klasikë, gazeta dhe duke mësuar kulturën përmes filmave dhe muzikës. Kjo përvojë formoi karakterin e tij dhe i rrënjosi një besim të thellë në fuqinë e dijes dhe edukimit.
Bouamrane studioi “Ekonomi dhe E Drejta Evropiane” dhe e filloi karrierën e tij në fushën e zhvillimit të sigurisë kibernetike. Sukseset e tij profesionale i dhanë mundësinë të udhëtonte në vende të ndryshme, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përjetoi për herë të parë, siç thotë ai, njohjen për kualifikimet e tij. Përvoja e tij ndërkombëtare kontribuoi në zhvillimin e një botëkuptimi të gjerë, i cili sot karakterizon pozicionet e tij politike.
Karriera e tij politike mori hov në vitin 1995, kur u zgjodh në këshillin bashkiak të Saint-Ouen. Fillimisht bashkëpunoi me Partinë Komuniste, por më pas iu bashkua Partisë Socialiste, ku shfaqi aftësitë e tij drejtuese. Menaxhimi i tij i suksesshëm i Lojërave Olimpike të Parisit 2024, si dhe tërheqja e investimeve dhe kompanive si Tesla, e kanë rritur reputacionin e tij si një lider i aftë.
Bouamrane vë theks të veçantë te edukimi dhe fëmijët, të cilat janë në thelb të programit të tij politik. Qëllimi i tij është të “promovoj ekselencën”, duke i lejuar fëmijët të bëhen arkitektë të jetës së tyre, ashtu siç bëri ai.
Me ndikimin e tij në rritje dhe njohjen e gjerë që ka fituar, Karim Bouamrane po shfaqet si një forcë e fuqishme në skenën politike franceze. Edhe pse e ardhmja e tij mbetet e hapur, vendosmëria, përkushtimi ndaj vlerave të drejtësisë sociale dhe aftësia për të fituar besimin e qytetarëve e bëjnë atë një lider potencial të vendit.