Turizmi është jetik për ekonominë greke, por numri i madh i vizitorëve po e stërmundon infrastrukturën dhe shërbimet publike deri në pikën e thyerjes, duke nxitur disa grekë të pyesin: A ia vlen kjo gjë?
Nga Eleni Stamatoukou dhe Seth Marvin Andersen
Marianna Kalpatsoglou jetonte në hijen e Akropolit, derisa turistët e detyruan të largohej që aty.
“Për shkak të autobusëve turistikë dhe bizneseve të makinave me qira, nuk mund të parkonim në zonën e Akropolit”, tha për BIRN mësuesja 44-vjeçare e Athinës. Tetëmbëdhjetë muaj më parë, ajo u zhvendos në lagjen Koukaki të kryeqytetit grek, por edhe kjo nuk mund të konsiderohej një arratisje.
Turizmi i madh “është gjithashtu një problem i madh në Koukaki,” tha ajo, “jo aq tragjik sa në zonën e Akropolit, ku nuk mund të ecësh më dot as si këmbësorë”.
Me më shumë se 30 milionë vizitorë të huaj vitin e kaluar, Greqia mbështetet në turizëm për rreth 11.5 për qind të prodhimit të saj kombëtar.
Nga një popullsi greke prej rreth 10 milionë banorësh, deri në një e pesta e siguron jetesën e tyre nga turizmi. Për shumë prej atyre që nuk mbahen nga turizmi, megjithatë, ai është kthyer në një mallkim, duke prishur jetën e tyre të përditshme në një shkallë që disa thonë se tani është e papranueshme.
Infrastruktura nuk po e përballon dot më fluksin vjetor të vizitorëve, duke filluar nga rrugët te grumbullimi i plehrave dhe burimet ujore, duke bërë që disa grekë t’u bashkohen banorëve të pakënaqur të Venecias, Barcelonës, St. Tropezit, Dubrovnikut dhe gjetkë, duke vënë në dyshim qëndrueshmërinë e turizmit masiv në shekullin e 21-të.
“Ka bllokim trafiku dhe mungesë infrastrukture si parkingje, rrjete të papërshtatshme uji dhe kanalizimesh… shterim të burimeve natyrore, menaxhimi i mbetjeve dhe ndotje të madhe mjedisore”, tha profesoresha Katerina Kikilia, drejtuese e Departamentit të Menaxhimit të Turizmit në Universitetin e Atikës Perëndimore. “E gjithë kjo ka pasoja të pa tolerueshme për popullatën vendase.”
Athina: Bllokim trafiku dhe kosha mbeturinash të tejmbushur
Kalpatsoglou shkonte me makinë për në punë, derisa e gjeti veten duke i rënë rrotull gjatë për të gjetur një vend parkimi gjatë kthimit të saj në shtëpi pasdite. Ajo filloi të përdorte biçikletën.
Arsyeja është e qartë. Në njërin skaj të rrugës së këmbësorëve Dionysiou Areopagitou, ngjitur me shpatin jugor të Akropolit, autobusët turistikë parkojnë për të zbritur pasagjerët e transportuar nga anijet turistike të ankoruara në Pire.
“Autobusët fillimisht kalojnë qytetin e Pireut në orën e pikut… dhe përpiqen të ndalojnë sa më afër vendeve arkeologjike”, tha Nikos Belavilas, profesor i planifikimit urban në Universitetin Teknik Kombëtar të Athinës, duke krijuar atë që ai e quajti në mënyrë eufemitike një “barrierë teknike”.
Verën e kaluar, 1.5 milionë turistë mbërritën në Athinë me anije turistike, mbi 7.1 milionë me avion. Kryeqyteti dhe zona përreth tij kanë një popullsi prej pak më shumë se tre milionë banorësh, nga të cilët rreth 700,000 jetojnë në vetë Bashkinë e Athinës.
Në përpjekje për të trajtuar problemin e autobusëve turistikë, në qershor bashkia arriti një marrëveshje për të marrë me qira për pesë muaj parkingun e stadiumit Olimpik Tae Këon Do pranë plazhit. Por Belavilas tha se kjo mund të ishte vetëm një zgjidhje afatshkurtër.
“Sot zona e Kalliroisit është e bllokuar”, tha ai, duke iu referuar rrugës që automjetet ndjekin për t’iu afruar Akropolit. “Në të ardhmen, nëse autobusët parkojnë në stadiumin Tae Këon Do, ata do të bllokojnë kryqëzimet e shëtitores Syngrou”, tha ai. Kjo do të krijonte një problem tjetër, “pasi ndotja e ajrit që gjenerohet nga qindra autobusë që qarkullojnë në të njëjtën kohë është e madhe”.
Përveç kaosit të trafikut, edhe menaxhimi i mbetjeve po bëhet i papërballueshëm në fluksin e verës.
Tridhjetë e tre vjeçarja Arianna tha se nuk ka ku t’i hedhë mbeturinat e saj në lagjen Psyri ku ajo jeton. Shërbimet e mbeturinave në zonë nuk kanë arritur ta përballojnë dot fluksin e madh të hoteleve, restoranteve dhe bareve që janë hapur në vitet e fundit.
“Nuk ka mjaftueshëm kosha plehrash në Psyri”, tha Arianna për BIRN. “Unë i mbledh plehrat e mia në thasë të mëdhenj dhe i marr në skuter një herë në disa ditë. Kjo nuk është normale sepse mbeturinat kundërmojnë nga vapa.”
Në një intervistë me BIRN, kryebashkiaku i Athinës, Haris Doukas – një profesor 44-vjeçar i politikës energjetike, i cili fitoi postin e kryebashkiakut në fund të vitit të kaluar me mbështetjen e partisë së majtë opozitare PASOK – premtoi se do të shtonte qindra kosha mbeturinash dhe tha se rrugët tashmë po pastroheshin më rregullisht.
Por ai e pranoi shkallën e problemit.
“Athina ka shërbime dhe burime që korrespondojnë me nevojat e pastërtisë së 700,000 qytetarëve, që është popullsia e saj rezidente”, tha ai. “Megjithatë, në realitet, Athina duhet të përmbushë kërkesat e krijuara nga shtatë milionë vizitorët e saj. Kjo nuk është diçka e thjeshtë.”
Santorini: “I pajetueshëm”
Santorini, zyrtarisht Thira, ishulli më jugor i grupit të ishujve Cyclades, ka një popullsi prej rreth 15,000 banorësh. Në vitin 2023, airegjistroi 3.4 milionë turistë dhe në disa ditë të këtij viti më shumë se 10,000 u sollën në brigjet e tij me anije turistike.
Duke paralajmëruar një “një tjetër ditë të vështirë” për ishullin, në korrik një këshilltar bashkiak i quajtur Panos Kavallaris lëshoi një thirrje përmes Facebook-ut që të gjithë “të reduktonim lëvizjet tona” duke pasur parasysh numrin e turistëve që kishin mbërritur. Ai më vonë e fshiu postimin pasi kryebashkiaku vendas kundërshtoi shifrën e tij prej 17,000 turistësh dhe përdoruesit e Facebook-ut e akuzuan atë për përhapje paniku.
Kryetari i bashkisë, Nikos Zorzos, i tha BIRN se ishulli “përballet me sfidat me të cilat përballet çdo destinacion popullor”.
“Dimensionet e vendit janë fikse dhe nuk mund të ndryshohen”, tha ai. “Me këto shifra vizitorësh, është e natyrshme të përjetosh presione në lidhje me shërbimet dhe menaxhimin.”
Ioannis Spilanis, profesor në Departamentin e Mjedisit të Universitetit të Egjeut dhe drejtor i Observatorit të Turizmit të Qëndrueshëm të Egjeut, e shpreh më troç:
“Situata në Santorini është e vështirë, për të mos thënë e pajetueshme”, tha ai për BIRN, duke thënë se ishulli i ngjante “një qyteti me probleme të rënda trafiku”.
Nga viti i ardhshëm, qeveria greke ka thënë se do të kufizojë numrin e turistëve që mbërrijnë me anije në Santorini në 8,000 në ditë dhe po shqyrton rritjen e taksës që çdo vizitor duhet të paguajë nga dy euro në 10 euro.
Për teleferikun do të nxirren bileta elektronike për të shmangur radhët e gjata dhe turistëve do t’u ofrohen ekskursione direkte në pjesët më pak të frekuentuara të ishullit.
“Këto janë masat e menjëhershme që varen kryesisht nga Autoriteti Bashkiak”, tha për BIRN Zorzos, kryebashkiaku. “Në bashkëpunim me qeverinë qendrore, ne po kërkojmë ndalimin e licencave të reja të shtretërve turistikë dhe avancimin e shpejtë të projekteve në lidhje me marinën e re turistike dhe portin e ri të Santorinit.”
Megjithatë, për Antonis Pagonis, kreun e Shoqatës së Hotelierëve të Santorinit, mbiturizmi është një mit. Çështja është se si menaxhohet turizmi, tha ai.
“Së pari, nuk ka mbiturizëm në Santorini apo ndonjë ishull tjetër grek, sepse turistët e vizitojnë vetëm për gjashtë muaj”, tha Pagonis. “Së dyti, mbiturizmi nuk është problem. Problemi është mungesa e organizimit dhe gabimet e qeverisë: nuk ka porte të duhura, rrugë, sisteme uji, energji elektrike – në shumë ishuj, jo vetëm në Santorini.”
Autoritetet bashkiake kanë kërkuar gjithashtu prej kohësh infrastrukturë më të mirë, megjithëse kryetari i bashkisë, Zorzos, paralajmëroi kundër mbingarkesës së ishullit “me beton dhe çelik”. Infrastruktura, tha ai për BIRN, “duhet të integrohet në veçantinë e peizazhit, të respektojë mjedisin dhe, natyrisht, duhet të jetë në përpjesëtim me madhësinë e ishullit”.
Sifnos: Mungesa e ujit shkakton emergjencë civile
Në një tjetër nga ishujt e grupit të ishujve Cyclades, Sifnos, autoritetet shtetërore shpallën një emergjencë njëmujore mbrojtjeje civile në qershor për shkak të mungesës së ujit.
Sipas Sustainable Cyclades, një projekt mediatik i dedikuar trajtimit të presioneve të mbiturizmit dhe investimeve në ishuj, konsumi i ujit në Sifnos u dyfishua në qershor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kritikët fajësojnë rritjen e kërkesave që vijnë nga vilat e sapondërtuara, pishinat dhe kopshtet e mëdha që duhet të ujiten rregullisht. Për shkak të klimës së thatë, furnizimet me ujë të ishujve janë gjithsesi shumë të kufizuara, por shterohen shpejt kur vjen sezoni turistik.
“Konsumimi i ujit për turist në ditë mund të kalojë 250-300 litra”, tha Demetris Zarris, një inxhinier civil dhe konsulent për menaxhimin e burimeve ujore. Kjo krahasohet me 170 litra për banor të përhershëm.
Autoritetet lokale thonë se po bëjnë gjithçka që munden për të ruajtur furnizimin me ujë.
“Si Bashki, ne ndërmarrim çdo veprim të mundshëm në kohë, për të informuar publikun dhe për të garantuar rezervat ujore”, tha për BIRN nënkryetari i bashkisë Ioannis Rafeletos. “Veprimet tona janë në drejtimin e duhur dhe problemet më të rënda janë shmangur.”
Problemet e ujit, megjithatë, janë të thella, paralajmëroi Zarris.
“Presioni mbi burimet ujore, veçanërisht në akuiferët e ujërave nëntokësore, me shpimin dhe pompimin e puseve, ka çuar në degradim serioz dhe të pakthyeshëm (në disa raste), kryesisht nëpërmjet kripëzimit dhe përfundimisht shkatërrimit të puseve”, tha ai në një përgjigje me shkrim në anglisht.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e ujit do të përkeqësohet vetëm për shkak të ndryshimeve klimatike.
“Mbipompimi i ujit dhe pakësimi i reshjeve i ka rritur jashtëzakonisht problemet”, theksoi Spilanis nga Universiteti i Egjeut.
“Ne duhet të ndryshojmë gjithçka”, tha ai. “Nuk është e lehtë sepse ka forca që e pengojnë këtë. E shohim në nivel global… Ne si qytetarë duhet gjithashtu të përpiqemi dhe të shkojmë drejt diçkaje shumë më të qëndrueshme. Edhe bizneset duhet të detyrohen të përshtaten.”