Ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, ka thënë se vrasja në Teheran e Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – nuk do të ketë ndikim në bisedimet për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit, sepse “paqja nuk është në agjendë në këtë kohë”.
Olmert tha për shërbimin iranian të Radios Evropa e Lirë më 31 korrik se përgjigja e Iranit për vrasjen do të formësohet nga besimi i Teheranit se Izraeli e kreu sulmin, pavarësisht se Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë.
“Se a e kemi bërë ne apo jo, kjo ka pak rëndësi”, tha Olmert, i cili ka qenë i përfshirë në përpjekjet e dështuara për ta arritur një marrëveshje për zgjidhjen me dy shtete me Autoritetin Palestinez derisa shërbeu si kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2009.
“Me gjasë ata [Irani] do të vendosin se si të përgjigjen bazuar në atë se çfarë mendojnë se ka ndodhur”.
Vdekja e Haniyehut në tokën iraniane dhe sulmet izraelite ndaj grupeve të mbështetura nga Teherani, të cilat përfshihen në sulme kundër Izraelit, kanë nxitur frikë për rrezikun e shpërthimit të një lufte të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Izraelit dhe për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.