“Arrest me burg” italianit që dyshohet se shkaktoi vdekjen e vëllait të fejuarës së tij nga përplasja me Jet Ski në plazhin e Velipojës.
Shtetasi Salvatore Di Tella u la me masën e sigurisë “arrest me burg” me afat deri më 16 tetor nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër. Afati kohor u la sepse nuk kanë ardhur ende dy akte ekspertimi, ai mjeko ligjor dhe ai teknik i Jet Ski-ve në të cilët ndodheshin viktima dhe personi tjetër.
Di Tella është i dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” ndërsa prokurori Ndriçim Halili kërkoi masën sigurisë “arrest me burg”. Në sallën e gjyqit italiani Di Tella nuk ka dhënë asnjë deklaratë duke i qëndruar deklarimeve që ka bërë më përpara në polici. Në policinë vendore të Shkodrës pas ngjarjes Di Tella ka rrëfyer me pak fjalë si ka ndodhur ngjarja. “Jemi përplasur më pëprara se Nicola të binte në det.
Disa minuta më pas ka ardhur një dallgë e madhe dhe Nicola ka rënë në ujë dhe aty më pas ka humbur jetën. Është një fatkeqësi ajo që na ka ndodhur”, mësohet të ketë thënë Di Tella në polici.
Ndërkohë avokati mbrojtës Arbër Rraja kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” me garanci pasurore 5 milion lekë ose në alternativë kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” në banesën e personit që i ka ftuar në Shqipërinë për ceremoninë martesore atë dhe të fejuarën e tij por gjykata përmes gjyqtares Arta Llazari vendosi “arrest me burg” me afat deri më 16 tetor.
Avokati Rraja gjatë mbrojtjes në seancën e masës së sigurisë deklaroi se ajo që ka ndodhur është një fatkeqësi familjare. Avokati ka dorëzuar 20 fotografi të viktimës dhe autorit të dyshuar për të vërtetuar miqësinë e tyre të afërt dhe lidhjen familjare që kanë.
Ndërkohë gjatë seancës për masën e sigurisë i pranishëm në sallën e gjyqit ishte edhe Konsulli i Italisë në Shkodër duke marrë pjesë.