Nga Denis Dyrnjaja/
Kjo qe po ndodh me skandalet në shoqërinë shqiptare nuk është as fillimi, as fundi i dekadencën sonë. Është një proces i vazhdueshëm dhe i përditshëm, që nuk nisi me ngjarjen e fundit ku fatkeqësisht protagoniste janë 3 femra. Ka me dhjetëra raste si ky që nuk raportohen, apo nuk dihen fare, që ndodhin nëpër lagje të kryeqytetit apo qyteteve të vogla. Dhe kjo nuk është rastësi e as dallëdi e një periudhe. Por është rezultat i një mendësie të ushqyer në vazhdimësi prej kohësh si mënyrë dhe formë jetese. Këtë mënyrë dhe formë nga skutat e lagjeve e ngriti në dimension publik dhe shoqëror media dhe veçanërisht rrjetet sociale. Etja për të fituar para e famë, shoqëruar edhe nga varfëria kulturale ka futur në një garë të ethshme median audiovizive pra TV, me atë që njihet nga ana tjetër si media online që burimin e refenrcës e kanë nga rrjetet sociale që e kanë kthyer vendin në kontesktin kuitural në një “nevojtore shoqërore”.
Pra aty gjendet me shumicë promovimi i dhunës, promovimi i prostitucionit, promovimi i pasurimit pa punuar e të pamerituar, luksi i shfrenuar, kryesisht modelet shoqërore që e adresojnë gabim stilin e jetesës. Për më tepër modelet e referuara janë etalon injorancë, te cilëve u jepet hapësirë mediatike për të promovuar kotësinë e tyre, e cila në fakt për shkak të një kurioziteti të pakuptimtë masiv publik, janë shndërruar në të ashtuquajtur VIP. Pra pse bën shoqëria sikur habitet kur ndodhin këto skandale, kur në fakt janë të pritshme dhe krejt të natyrshme me këtë habitat banal shoqëror që është krijuar?! A nuk është adresuar gabim mënyra se si njerëz të pakualifikuar dhe të pamerituar, për shkak të hapësirave që lejon sistemi përfitojnë dhe pasurohen në mënyrë të shpejtë dhe abuzive?! A nuk ngulet publiku me orë të tëra para TV apo të klikojë çdo titull bombastik në portalet që shohin çdo çast përmes smartphonëve, për të marrë vesh kush u lidh me kë e kush u nda me kë, kush u rrah nga kush e kush sfidoi me fyerje e sharje kë, në programe televizive apo hapësira informative, pa patur pikë substance e vlerash njerëzore dhe komunitare.
Momenti më ka qëlluar të jem në spital për arsye familjare. Ju them me bindje dhe fakte se shumë prej jush nuk e dinë se ka një realitet tjetër përtej atij banalit dhe sipërfaqësorit që sjellin mediat. Në pavionet e spitaleve ka vajza e djem shumë të rinj që punojnë si infermierë apo mjekë dhe janë fantastikë. Unë i kam parë ata, i kam takuar dhe njohur, kam biseduar me ta. Ata ekzistojnë realisht. Janë model i jashtëzakonshëm shoqëruar vlerash. Kam parë aftësitë e tyre të shkëlqyera profesionale por mbi të gjitha përkushtimin dhe durimin njerëzor që kanë ndaj çdo pacienti dhe sidomos ndaj moshave të treta që janë më të vështirë në manaxhim.
Ata janë modeli fantastik shoqëror, janë shembulli sesi puna dhe eksperienca të japin vlerë dhe dinjitet. Edhe ata janë të rinj, kanë ëndrra e dëshira, kanë pasione e ndjenja, por këto nuk i dominojnë apo ç’ekujlibrojnë qëllimet themelore të tyre në jetë. I kam parë të gdhinë pa fjetur e në mëngjesin e pa gjumë përsëri të jenë zë butë e plot empati për të sëmurët. Ata kanë gjetur ekuilibrin mes asaj që duan dhe asaj duhet të bëjnë. Unë jam befasuar me faktin se ka një rini tjetër përtej injorancës, kotësisë, modelit që gdhihet e fle me qëllimin si të bëj flokët, ku do bëj tattoo-on e radhës, kush do jetë dashnori apo dashnorja e radhës. Por këto modele që po them e që ekzistojnë prej vërteti janë të padukshëm sepse media nuk shkon atje tek ata.
Nuk iu dedikon vëmendje atyre dhe vlerave të tyre. Doktoreshë Margarita Gjata, shefe në pavionin e Mjekësisë Interne në QSUT më thotë ndërsa bisedoj me të duke i shprehur befasinë time për këtë realitet të mrekullueshëm, se stafin e kam të mirë dhe kur e thotë këtë vërej se e shpreh dhe ndjen një lloj krenarie. Në fakt ata nuk janë thjeshte të mirë, sikurse thotë doktoresha që ka mësuar dhe edukuar breza të tërë mjekësh që nga bankat e universitetit të mjekësisë. Ata janë thjeshtë modele fantastikë. Vajza dhe djem që shpëtojnë dhe kujdesen për jetë njerëzish. A nuk është një mrekulli të shohësh dhe të dish se ata ekzistojnë e se ata nuk janë modele false, apo modele fake televizivë fundjavash?! Ata janë modele shoqërore që të bëjnë të thuash se përtej plagëve të qelbura të shoqërisë, që trukohen me make up mediatik ka vlera të jashtëzakonshme shoqërore e njerëzore. Po sa e sa të rinj punojnë në profesione të tjera për të cilat nuk flet kush në media.
Ka të rinj që futen në galeri minierash, ka të rinj që punojnë në rrjete shërbimesh, rrobaqepës, kasapë, servise makinash, ka të rinjt të tjerë që shkëlqejnë në IT apo profesione të shkencës e shumë e shumë syresh. Por jo për ta nuk ka vend në media, sepse vendin e tyre e zënë barbonët e pasur me injorancë e zënë modelet e vajzave që thonë se iu duhen 5 mijë euro në muaj për të qenë në kushtet e nevojshme që kërkon eskortimi femëror.
Pra nëse nuk do të ndryshojë referimi i modeleve shoqërore, duke mos patur qëllim skupet dhe skandalet që prodhojnë klikime e shikime asgjë nuk do ndryshojë, shoqëria më keq dhe më thellë do degradojë. E mira është aty thjeshtë asaj i duhet hapur vendi që i takon shoqëria përthith atë çka i ofron!