Kina reagoi ndaj pretendimit se presidenti i SHBA-së, Joe Biden miratoi “strategjinë sekrete bërthamore që fokusohet sërish në kërcënimin kinez”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning dha deklaratë për mediat në Pekin lidhur me pretendimin në lajmin e publikuar nga gazeta “New York Times” në SHBA se Biden udhëzoi ushtrinë amerikane të përgatitej për konflikte të mundshme të koordinuara bërthamore me Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut.

Duke mbrojtur idenë se SHBA-ja duke e cilësuar Kinën si “kërcënim bërthamor” në vitet e fundit, e ka përdorur atë si një justifikim për të shmangur detyrimin e saj të çarmatimit bërthamor, për të zgjeruar arsenalin e saj bërthamor dhe për të vendosur epërsinë strategjike absolute, zëdhënësja Mao tha se “SHBA-ja është burimi kryesor i rreziqeve bërthamore dhe kërcënimeve strategjike në botë”.

Ajo theksoi se madhësia e arsenalit bërthamor të Kinës nuk është aspak në të njëjtin nivel me SHBA-në. “Kina ndjek politikën ‘të mos jetë e para që përdor’ armët bërthamore dhe e mban kapacitetin e saj bërthamor në nivelin minimal që nevojitet për mbrojtjen kombëtare. Nuk kemi ndërmend të hyjmë në një garë armësh me vendet e tjera”.

“SHBA-ja ka arsenalin bërthamor më të madh dhe më të avancuar në botë dhe është e përkushtuar ndaj një politike të parandalimit bërthamor të bazuar në ‘të qenit i pari që përdor’”, tha Mao e cila i bëri thirrje administratës së Washingtonit që të përmbushë detyrimin e saj “të veçantë dhe parësor” për çarmatimin duke reduktuar armët e saj bërthamore.

“SHBA-ja duhet të ndalojë hapat e saj negativë që do të minojnë paqen globale dhe rajonale, të tilla si ndarja bërthamore, përhapja e parandalimit dhe zgjerimi i aleancës bërthamore”, potencoi Mao.

Në lajmin e gazetës “New York Times” (NYT) pretendohet se presidenti amerikan Biden në mars i ka dhënë urdhër ushtrisë amerikane të riorganizojë strategjinë parandaluese të SHBA-së për herë të parë për t’u fokusuar në zgjerimin e shpejtë veçanërisht të teknologjive dhe armëve bërthamore të Kinës.

Në lajm tërhiqet vëmendja se Shtëpia e Bardhë nuk e ka njoftuar këtë vendim të Bidenit dhe paraqitet pretendimi se në strategjinë e quajtur “Udhëzues për Vendosjen Bërthamore” ka plane për t’u përgatitur kundër konflikteve të mundshme të koordinuara bërthamore me Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut.