E hëna e 2 shtatorit shënon nisjen e sesionit të ri parlamentar me hapjen e dyerve te Kuvendit pas pushimeve verore. Fusha e “shahut” politik në sallën e seancave plenare pritet të ketë një konfigurim të ri, pasi deputetë të cilët identifikohen si “anti-Berishistë” do tentojnë të krijojnë një grup të ri parlamentar të djathtë.
“Ideja fillestare të krijojmë një grup parlamentar. Nëse deklarohemi politikisht një grup deputetësh nga 7 deri 10 ka filluar të gjenerohet një qendër e re politike rreth se cilës do agregohen dhe parti të tjera që janë jashtë Parlamentit që unë i ftoj”, është shprehur Dashamir Shehi, kreu i LZHK.
I shkëputur nga grupi më i madh kuvendor demokrat që kontrollohet nga Sali Berisha, Enkelejd Alibeaj ka vendosur të krijojë një parti të re “anti-Berishiste”, të cilën pritet ta shpallë në shtator. Për krijimin e një partie te re, po mendon edhe Lulzim Basha megjithëse në Kuvend figuron si anëtar i grupit me kryetar Berishën.
Trokitja e vjeshtës do ta gjejë Presidentin Bajram Begaj me një dilemë, se kur zhvillohen zgjedhjet parlamentare.
Kodi Zgjedhor parashikon se gara elektorale e pranverës mund zhvillohet në një ndër datat mes 15 prillit dhe 15 majit ku në këtë rast kreu i shtetit ka vetëm 4 opsione.
Datat kur mund te mbahen zgjedhjet parlamentare:
E diela e 20 Prillit
E diela e 27 Prillit
E diela e 4 Majit
E diela e 11 Majit
Por, nëse për Bajram Begaj dilema është caktimi i një date për partitë politike, është si do garojnë. Socialistët duket se do vijojnë me formulën; të vetëm pa koalicion në garë, ndërsa opozita është e destinuar të shkojë e përçarë mes Berishës dhe Bashës, por edhe një poli të tretë që po nxiton të krijohet brenda se djathtës para zgjedhjeve te pranverës.
Dilema me e fundit është ajo e Ilir Metës , në listën e Berishës apo me siglën e tij në zgjedhje, pasi bashkëpunimi në zgjedhje i dy aleatëve të betejave te vjetra duket se kushtëzohet nga Kodi Zgjedhor qe imponon koalicion me listë të përbashkët.
Por, për zgjidhjen e dilemave elektorale politika ka dhe pak dite te mendohet para se të nisë sezoni i ri politik.