Nga Hermes Kafexhiu/
Kur Kadareja u largua në 25 Tetor të vitit 1990 nga Shqipëria diktatoriale përpara se të ikte la në një shprehje që në media mbeti si vegimi i një sfinksi që tentoi të thërras disa ndërgjegje: “Shqipëria po duket se po humb shansin e saj historik”.
E sot pas kaq shumë kohësh një shprehje e tillë është harruar, përvec se është harruar ka ndryshuar dhe mënyra e mendimit, edhe metoda dhe mbi të gjitha ritmi.
Koha ndoshta e veniti shoqërinë globale duke e bërë më pak të mendoj, duke e paragjykuar dhe më tepër mendimin deri aty sa qenia njerëzore arriti të pranoj në formë definitive teknologjinë si orientuese të jetës së saj njerëzore. E një i tillë fragment nuk ka për qëllim të nënkuptojë se teknologjia është një problem për shoqërinë, përkundrazi ajo është një risi që ia bërë njeriut shumë gjëra dhe më të thjeshta, por teknologjia arriti të vendos regjimet e saj që e kthyen njëriun të ndikuar tërësisht nga forma.
Debati për formën dhe përmbajtjen në botë është ndoshta kaq universal sa nuk mund të shterojë kurrë.
Po shkrimi im ka për qëllim rrëfimin e diçkaje tjetër.
A i humbet historia shanset e veta? Në Shqipëri konkretisht a ka pasur raste që ajo i ka humbur shanset e veta ?
Le të marrim disa raste të thjeshta dhe të gjithëditura.
Qeverisja e shkurtër e Fan Nolit a është një shans i humbur për Shqipërinë për të parë një tjetër botë dhe një tjetër mënyrë ?
A ishte një shans i humbur për historinë mos vazhdimi i marrëveshjes së Mukjes për të parë një tjetër këndvështrim të shqiptarëve të bashkuar në një front të vetëm çka mund t’i linin Shqipërisë një gjurmë më të fortë oponence?
Po Musine Kokalari nuk është një shans i humbur për Shqipërinë?
Po shans i humbur për Shqipërinë nuk mund të quhet dhe vijimi i liberalizmit në mënyrë definitive që doli në pah në vitet 1970, me koncertin e famshëm, me veprat e njohura, me veshjet e grave dhe vajzave që pastaj iu desh sërish të ndërpritej ?
A nuk do të ishte një shans i mirë për historinë e Shqipërisë, hyrja e studentëve në ish-Bllok në vitin 1991 ku të demostrohej ndëshkimi ndaj atyre që kishin pushtetin?
Po një shans i mirë nuk do të ishte për historinë që të shmangej kryesimi i partisë së parë pluraliste nga Sali Berisha një ish eskponent i njohur i kohës së diktaturës mbi të cilin ka dritë-hije të forta ?
A nuk do të ishte një shans i mirë për Shqipërinë që të dëgjohej parashikimi i Ritvan Bodes kur tha se piramidat nuk duhet të lejohen?
Po 1997 nuk do të ishte një shans i mirë për ta larguar njëherë e mirë Sali Berishën ?
A nuk do të ishte një shans i mirë për Shqipërinë që ish-Lëvizja Mjaft të ishte një forcë e pavarur e pluralizmit ?
A nuk do të ishte një shans i mirë për Shqipërinë që Ilir Meta të ndëshkohej si i korruptuar pas videos së doli ?
A nuk do të ishte një shans i mirë për Shqipërinë që në krye të Partisë Demokratike të ishte Sokol Olldashi ?
A nuk do të ishte një tjetër shans i mirë që studentët që u ngritën në 2018 të krijonin një lëvizje me një bosht të ndërtuar nga vetë ata për të dhënë një alternativë sfiduese ?
A nuk do të ishte një shans i mirë që media të krijonte një rezistencë ndaj lajmeve të konsumizmit dhe të fliste më tepër për ato që njeriu ka nevojë?
Sa shanse të tilla humbet historia në kohë dhe në hapësirë? Ose sa shanse të gabuar jepen nga individët alturistë që gjenden diku në një vend dhe shtyjnë përpara një model që nesër mund të jetë rreziku i madh i shoqërisë ?
E sa shanse humb shoqëria kur nuk i jep një dorë atyre njerëzve që janë të vrazhdë për mos të bërë kompromis dhe që nuk kanë frikë nga vlera për të pasur një ideal ?
Sa e sa shanse humb historia, a e di dhe ajo vetë këtë ?/Lexo.al