Ndërsa dërgimi i mbetjeve të dyshuara të rrezikshme që kanë dalë nga kompania Kurum drejt Tajlandës është temë dite, opozita nuk është dëgjuar në asnjë deklaratë për këtë çështje. Shkak për këtë heshtje duket të jetë përfshirja e interesave të saj në ato të kompanisë turke.
Drejtori i Shtabit Elektoral të Gazmend Bardhit në Elbasan gjatë zgjedhjeve të 2021, Lorenc Hastopalli, rezulton të jetë administrator i kompanisë “Energy Resources” ose me emrin e mëparshëm “Kurum Energy”, me aktivitet prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike.
Ekstrakti i QKB, në vitin 2004, tregon se kompania Kurum shton objektin e aktivitetit të Shoqërisë me prodhimin, shpërndarjen, tregtimin e energjisë elektrike dhe më pas shtohet emri i ri tregtar “Kurum Energy”.
Në vitin 2014, emri tregtar nga “KURUM ENERGY SH.A”, ndryshoi në “Energy Resources”, dhe administrator në 2015 emërohet Lorenc Hastopalli.
Ai është riemëruar disa herë dhe së fundmi është shtuar si administrator nga data 10/11/2022 deri në 10/11/2024. Hastopalli nuk është një emër i panjohur.
Në vitin 2021, pesë ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, si drejtori i fushatës elektorale të Gazment Bardhit, Lorenc Hastopalli iu drejtua me një mesazh qytetarëve të Elbasanit, ku i ftonte të votonin masivisht për PD.
Në 2013 qeveria e Sali Berishës kishte vendosur shitjen e katër hidrocentraleve kompanisë Kurum International, edhe pse kjo ishte kundërshtuar fuqimisht nga ekspertët në atë kohë. Sapo Kurum nisi aktivitetin me tregtimin e energjisë, si administrator shtohet Hastopalli, që sot është krahu i djathtë i Gazment Bardhit.