Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka nisur hetimet për një ngarkesë të dyshuar të lidhur me veprën penale të kontrabandës me mallra të ndaluara ose të kufizuara, pas referimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Procedimi penal nr. 1596, datë 16.08.2024, është regjistruar për të hetuar ngarkesën e nisur nga Porti i Durrësit, e cila dyshohet të përmbajë mallra të ndaluara ose të kufizuara.
Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Durrësit ka marrë materiale hetimore nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës lidhur me dyshime për veprat penale të “Transportimit të mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal, dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Këto informacione janë referuar në lidhje me ngarkesën që dyshohet të përmbajë mbetje toksike.
Prokuroria bën me dije se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë. Qëllimi i këtyre hetimeve është që të sqarohen në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktohen përgjegjësit për këtë rast.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Durrësit nis hetimet për Veprën Penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara” mbi ngarkesën e nisur nga Porti i Durrësit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka regjistruar procedimin penal nr.1596, datë 16.08.2024, mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i K.Penal në lidhje me një ngarkesë të nisur nga Porti i Durrësit.
Gjithashtu në këtë institucion, është referuar materiali hetimor nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprën penale “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku referohen informacione të marra nga media në lidhje me këtë ngarkesë për të cilën dyshohet se ka mbetje toksike.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës bën me dije, se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë, për të sqaruar në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes.