Ishin të bukur pa masë dhe e donin shumë njëri-tjetrin. Alain Delon dhe Romy Schneider u bënë tejet të famshëm edhe si çift. Nga dasma e paralajmëruar deri te humnerat më të thella: e tyrja ishte historia më zemërthyese e dashurisë.
Ishin ende në të 20-at kur u takuan dhe ranë në dashuri në shikim të parë. Megjithëse nëna e saj nuk ishte dakord, Romy u zhvendos nga shtëpia për të jetuar me Alain. Por, pas pesë vitesh bashkë, ai vendosi ta linte për një grua tjetër. Për Nathalie Barthélém.
“Më vjen keq. E di që do të të kisha bërë të palumtur. Unë do të nisem për në Meksikë me Natalie. Të uroj gjithë të mirat. Paris, 1964″ . Pikërisht me këtë shënim të varfër përfundon historia e dashurisë mes Alain Delon dhe Romy Schneider. Kjo ishte një dhimbje e madhe për aktoren. Përkundër kësaj, gjatë gjithë jetës së tyre, ata ruajtën kontaktet dhe dashurinë për njëri-tjetrin.
Por një nga letrat më prekëse të dashurisë është pikërisht ajo që ka shkruar Alain Delon për Romyn, ditën kur ajo vdiq, 24 vjet pas takimit të tyre te parë:
Të shoh teksa fle. Unë jam këtu, krah teje. Të kanë veshur një fustan të zi të gjatë që përfundon me detaje të kuqe tek busti. Ka lule gjithandej, por unë s’i shoh. Do të të them mirupafshim, do të të jap lamtumirën më të gjatë, kukulla ime e vogël. Kështu të quaja unë ty. S’i shoh lulet, shoh fytyrën tënde dhe mendoj që je shumë e bukur, madje kurrë nuk ke qenë kaq e bukur sa tani.
Besoj se kjo është hera e parë në jetën time dhe tënden, që ti je kaq e qetë, e butë. Je kaq e heshur, kaq e mirë…O Zot sa e bukur je! Duket sikur një dorë e padukshme, përshkoi me kujdes fytyrën tënde dhe zhduku gjithë tensionet dhe ankthet që mbaje.
Të shoh teksa fle. Ata më thonë se ke vdekur. Unë mendoj për ty, për veten, për ne. Për çfarë jam fajtor? Ne shpesh ja bëjmë vetes këtë pyetje para një qenie shumë të dashur, që e duam ende. Njeriu nuk është fajtor, jo, është përgjegjës. Unë jam…Prej meje, zemra jote pushoi së rrahuri mbrëmjen e djeshme në Paris. Prej meje kanë qenë këto 25 vite…
Ti erdhe në Vienë dhe unë të prita me një buqetë lulesh në duar, që s’dija as si t’i mbaja. Një nga producentët e filmit më tha: “Kur ajo të vijë nga ura, ti do ecësh drejt dhe do t’ja japësh lulet.”
Të prisja bashkë me lulet e mia, si budalla, i rrethuar nga fotografë që përpiqeshin të shkrepnin ndonjë foto. Ti u shfaqe. Kur më pe për herë të parë i kishe thënë mamasë tënde, kush është ky djalë dhe ajo t’u përgjigj: “Duhet të jetë Alain Delon, partneri yt në film.”
Pastaj asgjë. Unë erdha në Vienë dhe ne nisëm xhirimet. Rashë në dashuri si i çmendur me ty. Njësoj dhe ti me mua. Ndonjëherë, pyesnim veten se kush nga të dy u dashurua i pari me tjetrin. Numëronim deri në tre dhe njëzëri përgjigjeshim: “As unë as ti, të dy bashkëë!” O Zot, ishim të rinj dhe të lumtur.
Kur filmi mbaroi të thashë të vije me mua në Francë dhe s’u mendove fare para se të përgjigjeshe. “Dua të jetoj pranë teje në Francë!” Familja jote, prindërit…u çmendën! Unë, francezi që nuk dinte një fjalë të vetme gjermanisht dhe ti kukulla ime e vogël, që s’flisje asnjë fjalë frengjisht.
Ne u deshëm pa fjalë, që nga fillimi. Ne kishim pamje dhe buzëqeshje të njëjtë. Pas ca muajsh, unë s’flisja asnjë fjalë gjermanisht, por ti mësove frengjisht aq mirë sa bashkë luajtëm në teatër në Francë.
Të shoh teksa flë dhe nuk ke frikë. Askush s’të ndjek më…Ndjekja mbaroi dhe ti po pushon e qetë…
Të shoh sërish dhe sërish. E di që je mirë dhe e fortë. E di se kush je dhe pse vdiqe. Karakteri yt, thonë ata. Ti ishe “e dhunshme” sepse kishe të drejtë. Një fëmijë që shumë shpejt u bë një yll, shumë shpejt.
Po qaj teksa ti pushon dhe lotët më bien mbi trupin tënd…
Ne ishim e njëjta racë zemra ime. Flisnim njejtë.
Por unë jam një burrë. Ata s’na kuptojnë dot ne. “Aktorin” po, po jo ne.
Është e pashpjegueshme. Një fasadë, një reflektim. Ky ankth!
Sa më shumë kuptoj, aq më tepër bie. Veset bëhen zakone, pastaj nevojë. Pastaj zemra pushon, sepse është shumë e lodhur për të luftuar prapë. Thuhet se dhimbja që të shkaktoi vdekja e David-it të vrau. Ata s’dinë gjë.
Ti e doje jetën, pavarësisht dhimbjes, ti doje të jetoje. S’e di nëse është e vërtetë që ke dalë nga pyjet një ditë të shtune…Vetëm ti e dije kur zemra jote ishte e thyer dhe kur vërtetë ishte fundi i tunelit.
Kukulla ime e vogël, ti s’e kuptove kurrë që publiku të kishte zgjedhur ty.
Ti s’e kuptoje rëndësinë e të qenit një figurë publike. Ndiheshe sikur të kishin thyer privatësinë, ndiheshe e sulmuar. Ti e dije fatin tënd…
Ne jetuam bashkë për më shumë se 5 vite. Ti dhe unë. Unë dhe ti. Bashkë!
Pastaj jeta…jeta jonë, që s’i përket askujt tjetër, na ndau.
Por ne dëgjoheshim. Shpesh. Pastaj, në 1969-ën, ne na bashkuan xhirimet e filmit “The Pool” (Pishina). Aty takova djalin tënd të ndjerë, David-in. Pastaj jeta jote, mënyrat e tua, palumturia dhe ankthi që kishe…
Ata thoshin “oh çfarë aktoreje”, por s’e dinin që në skenë dhe në rolet e tua ti thjesht reflektoje dramën e jetës tënde. Ata s’mund ta merrnin me mend që ti ishe brilante dhe e mrekullueshme sepse po jetoje tragjedinë dhe reflektoje dramat e jetës tënde personale.
Ah zemra ime, kam jetuar me ty apo pranë teje?!
Kur David-i iku, puna për ty s’ishte më e rëndësishme. Prandaj, nuk u surprizova as kur më thanë se nuk jeton më.
A u befasova! Kur mësova që s’kishe kryer vetëvrasje, por ike nga zemra e thyer.
Aty thashë: “Ky është fundi i tunelit!”
Po të shoh tek fle.
Dje ishe akoma gjallë. Ishte natë…
Shpesh ti doje të ishe vetëm me kujtimin e djalit tënd të vdekur para se të flije gjumë.
Të shoh tek fle…. Unë jam vetëm. E them me siguri që ti më doje. Unë të doja gjithashtu. Unë të bëra franceze, një yll francez.
Ky vend që ti dashurove prej meje, u bë i yti.
Më thanë se doje të pushoje në një vend të Francës përgjithmonë. Brenda pak ditëve do të vijë dhe djali yt, aty pranë teje. Pastaj do të flesh përgjthmonë këtu, në Francë. Pranë shtëpisë tënde, pranë meje.
Unë s’do të shkoj kurrë në kishë apo morg. Yt shoq dhe njerëzit e tu më kuptojnë.
Ty, vetëm ty dua të të kërkoj falje. Ti e dije që unë s’do të isha i zoti të të mbroja nga turma, nga kjo stuhi që ti e kishe kaq frikë. Më fal.
Do të të shoh sërish nesër, kur të jemi vetëm unë dhe ti. Kukulla ime e vogël, të shoh sërish e sërish.
Dua të marrësh sytë e mi që të shohësh se s’ke qenë ndonjëherë më e bukur dhe më e qetë se kaq.
Pusho, unë jam këtu.
Sot, për herë parë mësova një fjalë gjermanisht, me ty. Ich liebe dich! Të dua. Të dua, kukulla ime e vogël.”