Nën drejtimin e tij ishte ndër “bomberët” e momentit.
Romalu Lukaku ishte fantastik nën drejtimin e teknikut Antonio Conte, në sezonin 2020-2021, ku ndihmoi “Zikaltërit” e Inter, të riktheheshin te titulli kampion i Serie A, duke shënuar plot 24 gola e dhuruar 10 asistime, në 36 sfidat e kampionatit.
Megjithatë, pas atij sezoni gjithçka ka shkuar keq për belgun, i cili ka dështuar të rigjejë atë lloj forme, pavarësisht përpjekjeve të tij, te Chelsea, Roma e sërish te “Zikaltërit” dhe tashmë pavarësisht se pjesë e “Bluve të Londrës”, kërkon një aventurë të re, për të treguar se ende ka potencial para portës kundërshtari.
Sipas raportimeve më të fundit të tabloidëve britanikë, Lukaku është shumë pranë kalimit te skuadra e Aston Villa, me këta të fundit që kanë arritur akordin me Chelsea, mirëpo duket se e ardhmja e tij është sërish e lidhur ngushtë me Italinë.
Shkak bëhet tekniku që “rizgjoi” belgun, Antonio Conte, me “timonerin” italian, i cili tashmë ka marrë në duar “frerët” e Napoli dhe kërkon me ngulm 31-vjeçarin, në “Maradona Stadium”.
Conte pritet të humbasë shërbimet e “bomberit” nigerian, Victos Osimhen dhe e sheh Lukaku si zëvendësuesin perfekt dhe tashmë nuk mbetet gjë tjetër, veçse të arrihet akordi mes klubeve, për të nisur aventurën e tretë të belgut në Serie A.