Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u përball me pyetjet lidhur me qëndrimin e tij ndaj marrëveshjes që Serbia nënshkroi një ditë më parë për blerjen e avionëve francezë Rafale.
Kurti u tregua i kujdesshëm në reagimin e tij. Shefi i ekzekutivit Kosovar preferoi ta shmangte një koment të drejtpërdrejtë, por tha se Kosova kërkon bashkëpunim të ngushë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, e këtu përfshihet edhe Franca.
“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu natyrisht edhe Francën të cilën e konsiderojmë vend mik, aleat e partner shumë të rëndësishëm edhe në BE edhe në NATO”, thotë Kurti.
Serbia nënshkroi firmos mbrëmjen e së enjtes me Francën ujdinë për blerjen e avionëve të avancuar ushtarakë franceze në nisje të vizitës dy ditëshe të Presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd.
Marrëveshja me vlerë prej 2.7 miliardë eurosh, sipas Parisit zyrtar, është pjesë e strategjisë më të gjerë për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian.
Presidenti Macron e quajti marrëveshjen historike dhe të rëndësishme dhe vlerësoi guximin strategjik të Serbisë, duke nënvizuar se ajo është vend me rëndësi për sigurinë në Europë.