“MAS po monitoron të gjithë procesin e shpërndarjes së teksteve, për t’u siguruar që ato të jenë në duart e nxënësve përpara fillimit të vitit të ri shkollor”.
Picar, Vorë, 31 gusht- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në shkollën e Picarit, e cila ka përfunduar procesin e rindërtimit dhe është gati të hapë dyert më 9 shtator.
Kjo shkollë ka ndryshuar tërësisht pamje, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke ofruar kushte moderne për nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle.
Duke folur për rëndësinë e këtij investimi, Ministrja e Arismit dhe Sportit Ogerta Manastirliu theksoi:
“Kjo është një shkollë e cila u premtua dhe u bë, falë programit të rindërtimit. Mbështetja tani e fëmijëve për të rritur aftësitë dhe kompetencat e tyre është prioritare. Ne do të vijojmë të mbështesim nxënësit dhe mësuesit, përmes trajnimeve dhe përmirësimit të kushteve të punës. Kjo është një punë që kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, komunitet, prindër dhe mësues.”
Ministrja Manastirliu ndoqi edhe procesin e shpërndarjes së librave shkollorë falas për nxënësit e shkollës së Picarit, një mbështetje kjo edhe për vetë familjet e tyre.
“Është një nismë që lehtëson buxhetet familjare, veçanërisht për kategoritë në nevojë. MAS po monitoron të gjithë procesin e shpërndarjes së teksteve, për t’u siguruar që ato të jenë në duart e nxënësve përpara fillimit të vitit të ri shkollor.”, tha Manastirliu.
Ministria e Arsimit dhe Sportit vijon angazhimin e saj për përmirësimin e kushteve por dhe pajisjen e nxënësve me të gjithë bazën didaktike, për të siguruar që me 9 shtator shkollat të jetë gati për të mirëpritur nxënësit dhe mësuesit.