Qeveria e Albin Kurtit po kritikohet ashpër për mbylljen e nëntë degëve të postave serbe në veri të Kosovës. Analisti Mentor Nazarko, duke komentuar këtë vendim, tha në një intervistë për ABC News se Albin Kurti po tenton që të “mbulojë” keqqeverisjen dhe se veprime të tilla kanë “frymëzim të qartë elektoral”.
“Kurti tenton që në veri të investohet në veprime të tilla që kanë karakter përshkallëzues dhe ndodhin pikërisht kur Perëndimi i kërkon depërshkallëzim. Ai është një “kafshë elektorale’ eficente dhe e di që këta janë veprime që me atë ndjeshmëri publike në Kosovë, janë veprime që e rrisin elektoralisht.
Kur Perëndimi në mënyrë të sinkronizuar, SHBA, BE dhe anglezët, i thonë se veprime të tilla ndikojnë, përkeqësojnë cilësinë e jetës së serbëve atje dhe rrezikojnë jetën e ushtarëve të KFOR janë duke i thënë se po rrit tensionet që mund të na çosh në një konflikt të tillë të armatosur me përmasa të vogla.
Në një farë kuptimi, është duke i thënë se po krijon një vatër konflikti që është diçka që do saktësisht Serbia apo Rusia. Në këtë kuptimi, mund të themi një gjë të tillë. Konfliktin në Kosovë nuk e kërkon Perëndimi”, u shpreh Nazarko.