Ukraina vazhdon të çojë përpara inkursionin e vet në rajonin kufitar rus, Kursk dhe tani kontrollon qindra kilometra katrorë të territorit, mirëpo me veprimet e saj synon të krijojë një zonë neutrale dhe jo të pushtojë toka ruse, ka thënë udhëheqja ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 19 gusht se forcat ukrainase kanë marrë kontrollin e 92 vendbanimeve në rajonin Kursk të Rusisë dhe tani kontrollojnë më shumë se 1.250 kilometra katrorë të territorit të armikut, në vetëm dy javë prej nisjes së inkursionit të befasishëm në anën tjetër të kufirit.
Zelensky ka thënë se forcat ukrainase janë duke përmbushur objektivat e tyre teksa çojnë përpara inkursionin në Kursk, ndërsa Moska e ka pranuar që Ukraina e ka dëmtuar urën e tretë mbi lumin Sejm, objekt kritik për lëvizjet e trupave ushtarake ruse në rajon.
Mirëpo, njëri prej këshilltarëve më të lartë të Zelenskyt, Mykhaylo Podolyak, ka thënë për televizionin Current Time – projekt i Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës – se për dallim prej pushtimit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, operacioni i Kievit e ka një synim të qartë, dhe është në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar, por edhe mbron popullatën civile.
“Ukraina nuk synon të zaptojë territore të populluara apo të pushtojë këtë territor”, ka thënë Podolyak më 19 gusht.
Ukraina e ka nisur kundërofensivën e befasishme në rajonin Kursk, më 6 gusht, duke ndryshuar dinamikën e luftës dy vjeç e gjysmë në Ukrainë, dhe duke detyruar 120.000 njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre.
Zelensky ka thënë më 18 gusht se detyra kryesore e Ukrainës është “të shkatërrojë sa më shumë potencial rus, dhe të kryejë kundërsulmin me kapacitet maksimal”, me qëllim të krijimit të një zone neutrale.
Podolyak e ka sqaruar nevojën e një zone të tillë, duke thënë për televizionin Current Time se Moska ka kryer sulme në infrastrukturën ukrainase prej zonave kufitare.
“Përgjatë kufirit, përfshirë rajonin Kursk, artileria është e pozicionuar një ose dy kilometra larg kufirit shtetëror, janë të pozicionuara lëshueset e raketave balistike, sistemeve të ndryshme raketore”, ka thënë ai.
“Shiheni rajonin Sumi, që është në anën e kundërt të rajonit Kursk. Rreth 500-600 bombardime janë kryer brenda ditës në atë rajon. Duke zhvendosur armët ruse në një thellësi prej 100 kilometrash, do të mund të mbrojmë popullsinë civile në qytezat kufitare ukrainase, sikurse në Çernihiv, Sumi dhe Harkiv”.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatë tjerë të Ukrainës i kanë vënë kufizime Kievit se kur mund të përdorë armët e Perëndimit, pasi ekzistojnë shqetësime se lufta mund të përshkallëzohet.
Megjithatë, Podolyak ka thënë se një përshkallëzim i tillë mund të ndodhë vetëm nëse Ukraina vepron në mënyrë të njëjtë sikurse Rusia.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /rel