Ashtu siç shihet në videot e postuara në “Instagramin” e tij, Taulant Seferi po vijon të stërvitet individualisht, si në fushë apo edhe në palestër.
Kjo e domosdoshme për të mbajtur gjendjen fizike në prag të një sezoni të ri. Sulmuesit kuqezi i përfundoi huazimi një vjeçar te klubi i Banijas në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tashmë duhej të kthehej te Vorskla Poltava, ekipi që është i lidhur në kontratë edhe për një vit. Por, diçka e tillë nuk ka ndodhur, pasi sulmuesi nuk ka pranuar të rikthehet te klubi ukrainas, por do të qëndrojë të presë një aventurë të re, me menaxherin e tij që po punon në këtë drejtim.
Kampionati ukrainas ka dy javë që ka filluar dhe Seferi nuk është bashkuar me skuadrën e tij, që ka humbur 5-0 me Shahtjorin në ndeshjen e parë dhe ka fituar 3-0 në transfertë me Bereg. Ndërkohë pritet që 27-vjeçari të transferohet sërish, ku një pistë është aty ku luajti sezonin e fundit, në Emiratet e Bashkuara Arabe, por gjithashtu flitet edhe për në Arabinë Saudite, si një variant për të ardhmen e sulmuesit.