Një aksident tragjik në plazhin e Velipojës mes dy jet-skive i mori jetën 19-vjeçarit italian, Nicola Iorio të dielën e 18 gushtit.

Ai kishte ardhur për pushime me të dashurën e tij dhe vëllain e të dashurës, me këtë të fundit që u arrestua nga policia e Shkodrës për vrasje nga pakujdesia.

Për këtë situatë ka reaguar e dashura e 19-vjeçarit, Giusy Di Tella, njëkohësisht dhe motra e të arrestuarit, Salvatore Di Tella, e cila thekson se ata nuk ishin as nën efektin e alkoolit dhe as të ndonjë droge, ndryshe nga çfarë thekson policia.

“Autoritetet shqiptare kanë lëshuar trupin e të dashurit tim dhe po përgatitemi për t’u rikthyer në Itali, por dua të theksoj fort se ishte thjesht një aksident tragjik, një përplasje e papritur. Ne nuk kishim pirë as alkool e as drogë. Unë, i fejuari im dhe vëllai im kemi qenë gjithmonë shumë të lidhur bashkë”, thotë si fillim Giusy.

20-vjeçarja gjithashtu shton se ajo ishte së bashku me Nicolan në jet-ski dhe mbrojti vëllain e saj Salvatore, duke thënë se ai nuk kishte asnjë faj, duke akuzuar policinë se kanë dhënë një version plotësisht të gabuar.

“Dy jet ski-të ishin larg njëra-tjetrës dhe ne nuk ishim aq larg bregut, ndryshe siç raportohet. Unë po xhiroja një video me celularin tim, kur Nicola më tha ta fikja. Në atë moment, pati një përplasje në anën e djathtë të jet ski-së tonë.

Vëllai im u hodh menjëherë në det për ta shpëtuar Nicolan dhe e nxori trupin e tij në breg, që më pas u transportua drejt spitalit, aty ku nuk arriti të mbijetonte. Por dua të ritheksoj se ishte thjesht një aksident tragjik.

Vëllai im nuk kishte asnjë faj, madje edhe familja e të dashurit tim thotë pikërisht këtë. Por këtu, në Shqipëri, ata domosdoshmërisht duan të gjejnë një fajtor: kjo është arsyeja pse ne kërkojmë ndihmë nga autoritetet italiane”, deklaroi vajza.

Të rinjtë ndodheshin në Shqipëri pasi ishin ftuar në një dasmë dhe kishin vendosur të kalonin disa ditë pushimi në plazhin e Velipojës.