Ylli i muzikës botërorë, Beyoncé ka kërcënuar se do të padis Donald Trump pasi ai përdori gjatë fushatës së tij presidenciale në mënyrë të paautorizuar këngën e saj “Freedom”.
Të martën (20 gusht), zëdhënësi i fushatës së Donald Trump , Steven Cheung postoi një video 13 sekondash në mediat sociale të kandidatit republikan në Michigan.
Një burim i afërt me Beyonce-n i tha Rolling Stone se ish-presidenti nuk mori leje për të përdorur këngën nga albumi i saj hit “Lemonade” .
Zëvendëspresidentja Kamala Harris disa javë me parë konfirmoi se kënga e fushatës së saj do të jetë pikërisht “Freedom”. Beyoncé nuk hezitoi dhe i dha leje Harris që ta përdorte këngën deri në zgjedhjet e nëntorit. Përdorimi i këngës së fundmi nga fushata Trump është përballur me reagime nga disa fansa të Beyoncé dhe Kamala Harris.
“Freedom është një këngë e shkruar për skllavërinë dhe brutalitetin policor. Sa e neveritshme për cilindo prej jush ta përdorë atë për të mbështetur atë kriminel”, shkroi një person në Twitter.
Trump pak kohë e parë u përball me një gjobë prej shumë milionë dollarësh për përdorimin e paautorizuar të këngës “Hold On, I’m Coming”, të Isaac Hayes, në mitingjet republikane dhe në videot e fushatës. Avokatët e familjes Hayes argumentojnë se Trump i detyrohet 150,000 dollarë për çdo përdorim të paautorizuar të këngës. Fushata e Trump e ka përdorur atë mbi 100 herë.