Autori i njohur i romaneve horror, Enkelejd Lamaj, do të rikthehet këtë vjeshtë për lexuesin me një tjetër vepër, që premton frikë, mister dhe një histori të pazakontë shokësh. Romani me titull “Errësirat e Nëntorit”, që pritet të dalë së shpejti në treg, rrëfen historinë e Tomit, Adelës, Ergisës, Dritanit dhe Nereidës, pesë shokë fëmijërie, të cilët dikur njiheshin si “Grushti i Frikës”.
Tridhjetë e tre vjet më parë, ata u përballën me tmerrin rrëqethës, që gllabëroi Vojsatin, një qytet i pazakontë, në një cep të Shqipërisë, ku vrasjet e njëpasnjëshme e shndërruan në një qytet të mallkuar, dhe ku gjaku njollos çdo pëllëmbë toke, ndërsa errësirat e pafytyra gllabërojnë gjithkënd.
Sot, tridhjetë e tre vjet më pas, Grushti i Frikës duhet të bashkohet përsëri. Sepse errësirat e nëntorit janë ngritur sërish. Ndërsa raportimet flasin për një masakër me të paktën nëntë të vdekur, të pestë duhet lënë jetët e tyre si të rritur dhe të kthehen në makthin e vendlindjes, që i ka përndjekur në çdo hap të jetës, për t’u zhytur në ujërat e ndenjura të së shkuarës, si përballja përfundimtare me errësirat rrëqethëse. Dhe për këtë, ata duhet të shtyhen deri në anën tjetër të vdekjes. Atje, ku askush nuk vdes përgjithmonë.
Romani “Errësirat e Nëntorit” do të botohet në fillim të tetorit nga shtëpia botuese “Arka e Noes”, duke premtuar frikë, emocione dhe një rrugëtim drithërues, që do t’ju mbajë të lidhur pas secilës prej 730 faqeve të tij. A jeni gati?