Pavarësisht mospajtimeve me qeverinë aktuale të Kosovës, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të saj mbetet i palëkundur: Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier e bëri edhe një herë të qartë qëndrimin e vendit të tij teksa Kosova dhe Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar nënshkruan marrëveshjen për grantin, që ofron ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
“Edhe pse disa nga fushat e bashkëpunimit me qeverinë aktuale mbeten më pak pozitive nga sa ne kishim shpresuar, angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë sa ka qenë gjithmonë. Megjithatë më duhet të theksoj se ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës jo domosdoshmërisht vlen për çdo qeveri të Kosovës ose për çdo zgjedhje apo veprim të caktuar të politikave qeverisëse”, tha Hovenier.
Komentet e tij, Hovenier i bëri pak pas ceremonisë gjatë së cilës presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Mary Elieen Devitt nga USAID në Kosovë firmosën dokumentin e dhurimit të miliona dollarëve, në kuadër të marrëveshjes për fondin për objektivat zhvillimore ndërmjet të dyja vendeve. Marrëveshja fillestare e këtij granti që u nënshkrua në nëntor të vitit 2020, i siguroi Kosovës mbështetje prej 33 milionë dollarësh, ndërsa nëpër vite është mbështetur edhe me fonde tjera. Osmani, që edhe për hapjen e urës së Ibrit insiston që kjo të ndodhë në koordinim me aleatët, theksoi se marrëveshja është tregues i qartë i fuqisë së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara si garanci për një të ardhme të ndritur të vendit.
“Sa herë punojmë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qytetarët tanë dhe shteti ynë përfitojnë. Kjo marrëveshje do të mbështesë projekte që synojnë shërbime më të mira për qytetaret tanë”, tha Osmani.
Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar mbi 1 miliard dollarë amerikan në rindërtimin e Kosovës dhe zhvillimin e saj.