Enkelejd Alibeaj tha se partia e re politike ku ai do të jetë pjesë, do të jetë një formacion kundër ortakërisë Rama-Berisha.
“Nuk është lëvizja Alibeaj, as partia Alibeaj. Jemi një sërë kolegësh brenda parlamentit, jashtë parlamentit, pa u marrë me politikën deri tani, të cilët ndjejnë nevojën që një pjesë e madhe e publikut shqiptar sot është e papërfaqësuar. Ortakëria Rama-Berisha, e cila ka dalë në pah sidomos këto javët e fundit. U bënë bashkë te goditja e SPAK-ut, grupi i dialogut, te kodi zgjedhor. Me sa duket janë përsëri bashkë tek komisioni Xhafaj, për të goditur SPAK-un. Ndaj sot, publiku shqiptar, është bindja ime, ka nevojë për përfaqësim”, tha Alibeaj në një intervistë me Erion Dushin në ditarin e fundjavës në A2 CNN.
“Për sa kohë ishim përfaqësuesit legjitim të PD, ajo se çfarë u bë ishte që Partia Demokratike të shndërrohej realisht në një forcë, e cila të kishte simpatinë dhe mbështetjen e publikut, të jepte mbështetje për drejtësinë e re, t’i jepte shqiptarëve të drejtën që të votonin për listat e hapura dhe të sfidonte Ramën. Por Berisha është në ortakëri politike të hapur me Edi Ramën. Ndaj shqiptarët nuk kanë zgjedhje tjetër të ndryshme. Ndaj kam bindjen që duan diçka ndryshe”.
Edhe pse nuk pranoi të thoshte se cili do të jetë kryetari i këtij formacioni politik, Alibeaj tha se nuk do të riciklohen figurat e vjetra, kur u pyet nëse kryetar i kësaj partie do të ishte Lulzim Basha.
“Partia Demokratike është parti private. Grupi parlamentar është një grup njerëzish që bëjnë atë që Sali Berisha u thotë. Prandaj u largova. Respekt për njerëzisht që i shkojnë pas, por unë distancohem. Ne nuk do të riciklojmë askënd. Nuk bëhet kjo lëvizje për të ricikluar dikë. Jo! Mbajeni këtë insert, fiksojeni, se kështu do të jetë përgjithmonë. Ky grupim është i hapur për këdo”, tha Alibeaj në A2 CNN. (A2 Televizion)