Nga 1 Janari 2025, të gjithë pensionistët do udhëtojnë falas me autobusë në Tiranë. Nënkryetari i bashkisë së kryeqytetit Andi Seferi dha më shumë detaje sa i takon këtij vendimi.
Përmes një prononcimi për Klan Neës, ai u shpreh se përpos subvencionimit të të moshuarve, synohet përmirësimi i gjithë flotës urbane. Risi ka edhe në stacionet e urbanëve.
“Stacionet e autobusit do kthehen në bashkohore me tabela të unifikuara, për të orientuar qytetarët. Duke kaluar te shenjuesit elektronikë që do tregojnë kohën për pritjen e autobusit si dhe trajektoren e tyre sipas linjave të ndryshme.”
Për të kryer verifikimin e përfituesve, Seferi theksoi se do ngrihet një sistem elektronik.
“Po ndërtohet një sistem elektronik me database ku do të emetohen qoftë abonetë, sigurimet shoqërore dhe burime të tjera informacioni që përdoren për të bërë të mundur pasjen e një numri final për të subvencionuarit më 1 Janar. 15 linja në një flotë, me dy terminalë kryesorë që orienton jo vetëm qytetarët e Tiranës, por edhe turistët. Po punohet për sistemet që janë për ngritjen e këtij database.”
Duke u ndalur të turizmi, nënkryetari i Bashkisë nënvizon se prezenca e tyre vitet e fundit është rritur shumë. “Shohim prezencë të madhe në të gjitha pikat turistike në qytetin e Tiranës. Tirana është qyteti ideal për tipologji të ndryshme turizmi. Nga ana tjetër jemi pranë aeroportit ku kemi një fluks me 200 fluturime në ditë. Kjo reflektohet edhe me prezencën e turistëve në Tiranë. Një element shumë prezent janë edhe aktivitet e ndryshme që organizohem. Nuk ka ditë që të mos ketë 3-4-5 aktivitete të mëdha. Do doja të thosha një element shumë të rëndësishëm, kulinarinë e Tiranës, që nuk ka turistë që nuk e provon. Është e rëndësishme të shohim kurorën e Tiranës dhe atraksionet që ajo afron”, deklaroi ai.